Të premten me prezencën e Rektorit dhe Prorektorëve të Universitetit të Prishtinës, u bë pritja solemne e studentëve të rinj për vitin akademik 2021/2022. E nga rektorati bëjnë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që viti i ri akademik të fillojë me prezencë fizike.
Edhe studentët po kërkojnë një gjë të tillë. Por për vijimin e ligjëratave, studentëve do t’u kërkohet si dëshmi certifikata e vaksinimit kundër COVID-19, ose testi PCR.
Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje me publikun, në një prononcim për kp bën të ditur se mbi 90 për qind e mësimdhënësve janë vaksinuar, ndërsa nuk kanë të dhëna për përqindjen e imunizimit të studentëve.
Megjithatë, thotë se në sallat në të cilat numri i studentëve është i madh do të ndahet në dy grupe të ligjëratave.
“Në ato salla ose fakultete ku numri i studentëve me një grup është shumë i madh janë menduar metoda të tjera alternative, për shembull grupi të ndahet në dy nën grupe, ku me një grup të mbahet një orë mësimore pastaj të ndërrohet me grupin tjetër. Kurse nëse ka raste që nuk respektohen masat, nuk mund të ofrohet hapësirë e mjaftueshme për respektimin e masave do të mendohen edhe metoda të tjera alternative për realizimin e mësimit”, ka thënë ajo.
Të gatshëm për fillimin e vitit të ri akademik me prezencë fizike po shprehen edhe nga fakultetet.
Shefi i departamentit të gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Jahiri, thotë se stafi akademik është i gatshëm për fillimin e ligjëratave, pasi është vaksinuar.
“Sa i përket përgatitjes së stafit, stafi gjithmonë ka qenë i përgatitur për pjesëmarrje fizike në klasë edhe në këto moment që po flasim i gjithë stafi i departamentit tonë janë vaksinuar dhe janë të gatshëm me fillua mësimin në formë fizike. Por e gjithë kjo varet prej institucioneve të shëndetësisë, prej atyre që e masin virolencën e virusit shpërndarjen. Pra është një dinamikë që na nuk e kemi në dispozicion. Por shpresojmë të vazhdojmë me formë fizike”, ka thënë ai.
Edhe studentët po kërkojnë që ky vit akademik të fillojë në objektet universitare.
Bleron Arifi nga Unioni Demokratik Studentor i Universitetit të Prishtinës, thotë se kanë bërë kërkesa për mbajtjen e mësimit në formën fizike në rektorat, pasi pretendon se mbi 63% të studentëve janë të imunizuar kundër COVID-19.
“Ne si organizatë studentore kemi arrit që ta bëjmë unifikimin e departamenteve të fakultetit filologjik dhe përmes kësaj kemi vazhduar me kërkesën tonë tek dekanja për vazhdimin e mësimit fizikisht. Po ashtu e kemi bërë një kërkesë në rektorat përmes Parlamentit Studentor, po ashtu e kemi bërë edhe një mostër për vaksinimin e studentëve e cila ka rezultuar mbi 63% të studentëve të vaksinuar”, ka thënë ai.
Procesi mësimor, respektivisht ligjëratat, do të zhvillohen duke respektuar udhëzuesit përkatës, me kusht që numri i studentëve në një klasë të mundësojë në mënyrë rigoroze mbajtjen e distancës prej 1.5 metra në mes të personave.
Në rastet e caktuara dhe për të respektuar distancën prej 1.5 metra, ligjëratat do të organizohen në dy grupe të studentëve: Orët e mësimit në dy grupe – ora e parë 40 minuta grupi i parë i studentëve; ora e dytë 40 minuta grupi i dytë i studentëve.
Në mes të dy orëve do të mundësohen 10 minuta për ndërrimin e studentëve. Në raste tjera dhe varësisht edhe vendimeve të qeverisë, do të mundësohen edhe orët hibride dhe online.