Tre partitë fituese të zgjedhjeve parlamentare deklaruan nisjen e negociatave për qeverinë. Ndarja e posteve pritet të jetë vendimtare për profilin programor të partive dhe suksesin e negociatave.
Për konsultimet për qeverinë e re gjermane, pas zgjedhjeve të 26 shtatorit në publik kanë depërtuar pak lajme. Me ndërgjegje, Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së vendosën që të jenë të kursyer në informacionet për ecurinë e konsultimeve. Me këtë u synua të mos përsëritej përvoja e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, kur publikimi i rezultateve të ndërmjetme të konsultimeve i dëmtoi negociatat.
Kjo ndryshoi sot (15.10.), kur në një konferencë shtypi në mesditë, përfaqësuesit e socialdemokratëve (SPD), të Të Gjelbërve dhe liberalëve të FDP-së thanë se konsultimet e deritashme konstruktive kishin krijuar bazën për një qeveri të përbashkët. Kandidati socialdemokrat për kancelar, Olaf Scholz tha se ishte rënë dakord për konceptin më të madh të modernizimit industrial në 100 vitet e fundit.
Kryetarja e Të Gjelbërve, Annalena Baerbock tha se çështjet e mëdha në funksion të modernizimit do të trajtohen me guxim. Ndërsa kryetari i liberalëve të FDP, Christian Lindner tha se ishte rënë dakord për piketa orientuese që mundësojnë financa të qëndrueshme. Dokumenti që përmbledh konsultimet e përbashkëta nuk përmban ngritje taksash, por përmban ngritjen e pagës minimale në 12 euro. Në dokument thuhet se “nuk do të futen taksa të reja substanciale, ndërsa taksat për të ardhurat, sipërmarrjen ose TVSH nuk do të rriten”.
Në negociata do të diskutohet edhe zhdërvjelltësimi i ligjit për imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar. “Ne duam të fusim edhe një sistem pikësh si shtyllë të dytë për të fituar fuqi punëtore të kualifikuar”, shkruhet në dokument.
Pritet që të Gjelbrit ta miratojnë nisjen e negociatave në një kongres në këtë fundjavë. Nisjen e negociatave liberalët e FDP-së pritet ta miratojnë në kryesinë e partisë dhe në grupin parlamentar. Kryesia e socialdemokratëve e miratoi që sot njëzëri nisjen e negociatave.
Konsultimin e parë me Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së, kandidati për kancelar i socialdemokratëve, Olaf Scholz e bëri që javën e kaluar (07.10.). Liberalët e FDP-së pranuan atëherë që të bisedojnë me socialdemokratët, pas ftesës që u bënë Të Gjelbrit. Shefi i liberalëve, Christian Lindner theksoi me këtë rast se në konsultime, nga ana përmbajtësore kishin rezultuar më shumë pika takimi me partitë konservatore unioniste, CDU/CSU. Megjithatë, në drejtim të Të Gjelbërve e socialdemokratëve tha se “nga bindja e përbashkët se vendi duhet përtërirë, ka rezultuar një interes i përbashkët, megjithë dallimet.”
Qeveria e re me ngjyrat e semaforit në ndërtim e sipër
CDU/CSU i zbehen më tej shpresat për të formuar qeverinë
CDU/CSU duket në gjendje jo të mirë që të zhvillojë negociata për qeverinë. Ky mendohet se është një element shtesë që i stepi liberalët. Në drejtimin e CDU-së situata është jo e qetë. Brenda kësaj partie ka filluar aktualisht një proces reformimi. Kryesinë e re të partisë, tani duan të zgjedhin me votim nga baza. Ndoshta do të zgjedhin në këtë mënyrë edhe kryetarin e ri të partisë. Njëkohësisht ka kritika të ashpra për humbjen e zgjedhjeve, brenda CDU-së, por veçanërisht midis CDU-së e CSU-së.
Socialdemokratët gjithsesi i fituan zgjedhjet parlamentare, qoftë edhe me vetëm 1,6 përqind më shumë, nga CDU/CSU. Megjithatë, është ende herët për ta konsideruar nisjen e negociatave të barabartë me suksesin e tyre.
Dallimet kryesore janë mbeten midis socialdemokratëve dhe Të Gjelbërve nga njëra anë dhe liberalëve të FDP-së, në anën tjetër. Këto dallime janë në politikën tatimore dhe financiare dhe në rrugën që duhet ndjekur për mbrojtjen e klimës.
Socialdemokratët duket se kanë marrë një pozicion modest në negociata. Ata janë partia e parë në një koalicion eventual qeveritar, por fitorja e tyre në zgjedhje nuk ishte e shndritshme. Janë dy partitë më të vogla që do të vendosin fatin e qeverisë me socialdemokratët. Veç kësaj, me liberalët e FDP-së socialdemokratëve u mungon një koncept i përbashkët dhe përvojë qeverisjeje.
Para zgjedhjeve, lideri i liberalëve Lindner deklaroi madje se sado që ta mundonte fantazinë, e kishte të vështirë të përfytyronte një ofertë tërheqëse socialdemokrate për të. Hera e fundit kur e kanë qeverisur Gjermaninë bashkë socialdemokratët dhe liberalët e FDP-së ka qenë para 40 vjetësh. Atëherë për socialdemokratët negocioi Helmut Schmidt-i, kurse për liberalët Hans-Ditrich Genscher-i.
BE në pritje të qeverisë së re gjermane
Optimizmi i shprehur sot nga tri partitë para nisjes së negociatave sugjeron se ritmi i negociatave mund të sjellë një dakordim të shpejtë. Por edhe skenari më optimist deri tani nuk e sheh formimin e qeverisë para Krishtlindjeve. Ndërsa skenari më pak optimist është që negociatat mund të zgjasin me muaj. Kjo do të nënkuptonte që fjalimin e vitit të ri ta mbajë sërish kancelarja Angela Merkel.
Njëkohësisht, BE është i paralizuar pa një qeveri vepruese gjermane. Aktualisht në BE janë dy vendime të mëdha, që nuk mund të merren pa një qeveri plotësisht vepruese gjermane.
Njëri është Marrëveshja e Gjelbër për Evropën, Green Deal. Për këtë duhen miratuar shumë ligje evropiane, në mënyrë që BE të arrijë deri në vitin 2050 neutralitetin për dioksidin e karbonit.
Fridays for Future kujton rëndësinë e klimës
Tjetri janë rregullat e përbashkëta të buxhetit të BE. Ato parashikojnë kufij në marrjen e borxheve nga BE. Aktualisht ato janë pezulluar për shkak të pandemisë së Covidit. Por disa shtete, kryesisht jugore të BE kërkojnë që këto rregulla për marrjen e borxheve të zbuten në mënyrë të qendrueshme. Dhe me paratë që do të merren të bëhen investime.
Ministria e Financave me interes për dy partitë e vogla
Qeveria aktuale gjermane e ka kundërshtuar qartë si zbutjen e rregullave buxhetore të BE, ashtu edhe borxhe të përhershme të përbashkëta të BE. Ndërsa për qëndrimin e qeverisë së re, vendimtare do të jetë se cila nga partitë negociuese do të marrë ministrinë e Financave të Gjermanisë.
Padyshim, marrëveshja e koalicionit do të synojë kohezion. Por është fakt se qëndrimet e Të Gjelbërve dhe socialdemokratëve për politikën ekonomike janë shumë më pranë njëra-tjetrës, seç janë ato me qëndrimet e liberalëve. Dhe janë liberalët e FDP-së ata që e kërkojnë me këmbëngulje ministrinë e Financave. Me këtë ministri liberalët e djathtë, të ndodhur mes dy partnerëve të majtë në koalicion, mund t’i mbeten më besnikë kredos së tyre politike, raporton dw.
Por ministrinë e Financave e duan edhe të Gjelbrit. Dhe varësisht nëse ministrinë e Financave do të marrin liberalët apo Të Gjelbrit, pritet një qëndrim i kundërt ndaj borxheve të reja të përbashkëta të BE.
Shtetet e Evropës Veriore, Danimarka, Suedia, Austria dhe Holanda do të ishin shumë të lumtur sikur ministrinë e Financave të Gjermanisë ta marrin liberalët e FDP-së. Kështu do të vazhdonte qëndrimi më i rreptë ndaj rregullave të buxhetit të BE. Taksapaguesit gjermanë nuk do të paguanin me kursimet e tyre borxhet e shteteve të tjera, siç janë shprehur liberalët e FDP.
Ndërsa shtetet jugore, Franca, Spanja dhe Italia do të ishin të lumtur të shihnin Të Gjelbrit në ministrinë e Financave të Gjermanisë. Në Gjermani, Të Gjelbrit duan të krijojnë mundësi për të marrë borxhe të reja, përtej kufirit prej 0,35% të performancës ekonomike (rreth 12 miliardë euro në vit) të vendosur në kushtetutën gjermane në vitin 2009. Me paratë ata duan të investojnë kryesisht për klimën. Kështu që negociatat pritet të jenë interesante./Gazeta “Enigma”/