Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, po vazhdon takimet me krerë shtetëror në kuadër të vizitë zyrtare në Shqipëri, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Ajo sot zhvilloi takime të ndara me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Gjatë takimit që pati me presidentin Meta, biseduan për zhvillimet politike në të dyja vendet, çështje të bashkëpunimit rajonal si dhe për politikë të jashtme.
Thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit, partneritetit të shkëlqyer mes të dyja vendeve në të gjitha fushat si dhe shtimi i dinamikës në zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani, ishin gjithashtu çështje që u shtjelluan në këtë takim.
Palët diskutuan edhe për reformat që po ndërmerren në kuadër të agjendës evropiane. Ministrja Gërvalla theksoi se shkëmbimet institucionale mes Kosovës dhe Shqipërisë në këtë drejtim janë esenciale, për përshpejtimin e rrugës së të dyja vendeve dhe përafrimin me BE-në.
Gjatë takimit që pati me kryetaren e Kuvendit, znj. Nikolla, krahas zhvillimeve aktuale, temë qendrore ishte forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe ndalja e ofensivës serbe që në vazhdimësi po dëmton Kosovën në aspektin e njohjeve.
Kryeparlamentarja Nikolla theksoi se mbetet prioritet i Shqipërisë ta mbështes Kosovën në këtë drejtim, me të gjitha kapacitetet në dispozicion.
Në të dyja takimet, ministrja Gërvalla shprehu mirënjohje të thellë për bashkëpunimin, partneritetin dhe gatishmërinë e madhe të Shqipërisë për të mbështetur Kosovën në secilin proces drejt fuqizimit dhe prosperimit si shtet.
Ministrja Gërvalla gjatë ditës u takua edhe me përfaqësues të opozitës shqiptare, përkatësisht me kryetarin e Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.
Gjatë takimit që pati me Bashën, biseduan për politikën e jashtme, aktualitetin në të dyja vendet. Po ashtu temë diskutimi ishte edhe procesi i integrimit evropian. Folën edhe për ecurinë e procesit zgjedhor që u zhvillua në Kosovë gjatë ditës së djeshme. Gërvalla ndër të tjera theksoi nevojën e bashkëpunimit mes dy shteteve pavarësisht rrymave politike./Gazeta Enigma/