Nëntë ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, nuk kanë arritur të mbesin në garë për kryetarë të komunave pasi nuk janë futur në balotazh në asnjë nga komunat ku kanë kandiduar në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili doli i treti në garën për Prishtinën në zgjedhjet lokale, pas Arben Vitisë të Vetëvendosjes dhe Përparim Ramës të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përkundër kësaj, Urani arriti një rekord sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës.
Kandidati i PDK-së mblodhi 18 mijë e 119 vota, ose 21.64 përqind të besimit të qytetarëve.
Edhe ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, nuk ka mbetur në garë për ta udhëhequr Prishtinën.
Haradinaj, ka grumbulluar vetëm 4,50 përqind të votave, duke u radhitur i katërti në betejën për kryeqytetin.
Ai ka thënë se “rezultati më i mirë për mua ishte bashkërrugëtimi im me ju. Unë jam krenar me ju dhe punën që e kemi bërë si ekip”.
“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që na mbështetën në këtë bashkërrugëtim. Urime dy kandidatëve pretendues për Kryetar të kryeqytetit”, ka shkruar Hadadinaj në Facebook.
Ndërkaq ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, me vetëm 14,98 përqind të votave ka mbetur jashtë garës për kryetar të Prizrenit, pasi renditet i treti pas Mytaher Haskukës të Vetëvendosjes dhe Shaqir Totatj të Partisë Demokratike të Kosovës.
Quni ka theksuar se subjekti i tij politik në bazë të rezultatit të arritur ka ringritje të theksuara të votave në krahasim me zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, ku LDK në Prizren kishte një rezultat dëshpërues.
“Në zgjedhje nacionale kemi pasur dëmtim në elektorat dhe strukturë. Kemi një ringritje të theksuar të besimit të qytetarëve të LDK-së, pavarësisht se nuk arritëm balotazhin”, deklaroi Quni.
Në Prizren nuk ia ka dalë as ish-deputeti tjetër i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha.
Ky i fundit është renditur i katërti me vetëm 5,73 përqind të votave.
Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, me vetëm 6.52 të votave është radhitur e treta në garën për të parën e Podujevës.
As ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, nuk ia ka dalë në Podujevë.
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, me 3,98 përqind të votave është renditur i katërti.
“Secila votë, qoftë edhe një, është e shenjtë dhe si të tillë unë do ta trajtojë përgjithmonë në Podujevë. Do të doja nga zemra ta falënderoj ekipin tim, listën e cila më ka bërë të ndihem mirë dhe krenar të cilët kanë punuar shumë me mua për këta tetë muaj”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Në Pejë ka dështuar ish-deputeti tjetër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rrustem Berisha.
Ish-ushtaraku ka mledhur vetëm 16. 37 përqind të votave në garën për kryetar të Pejës, duke u renditur i treti në këtë qytet.
“Gjatë jetës sime, kontributi im ka qenë në shërbim të lirisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës. Sa herë që më kërkohet do të jem i gatshëm, në të mirën e shtetit komunës dhe qytetarëve tanë”, ka potencuar Berisha në Facebook.
Edh ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka mbetur jashtë garës për kryetar të Suharekës.
Zyba është renditur i treti në këtë komunë me 9.42 përqind të votave.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Kosovë dhe se raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash do të bëhet katër javë pas raundit të parë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka thënë se ka raste kur nuk është bërë përditësimi i të dhënave në web faqen e KQZ-së për disa vendvotime. Por, që janë duke punuar në atë drejtim që sa më shpejt të rregullohet si problem.
“Procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Kosovë. Sipas ligjit raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komune mbahet ditën e diele katër javë pas raundit të parë”.