Nuk e pranon fajësinë për shkaktimin e aksidentit nga i cili humbi jetën këmbësori

Nuk e pranon fajësinë për shkaktimin e aksidentit nga i cili humbi jetën këmbësori

Tahir Alijaj nuk e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën për shkaktimin e aksidentit nga i cili kishte humbur jetën një këmbësor.

Në seancën fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Alijaj u deklarua i pafajshëm.

Ai ka thënë se ka qenë e pamundur të evitohet aksidenti, me arsyetimin se nuk ka pasur asnjë mundësi më të vogël që t’i shmanget të njëjtit, raporton “Betimi për Drejtësi”, përcjellë Gazeta “Enigma“.

“Ajo çka dua të them është se jam ndjerë shumë keq për rastin që ka ndodhur dhe do të doja që në vend të ndjerit të isha vetë ose dikush nga familja ime.”, ka thënë Alijaj.

Ndërkaq mbrojtësi i të pandehurit, avokati Gëzim Baloku ka thënë se është konsultuar me të mbrojturin e tij, duke shtuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do ta kundërshtojnë ekspertizën e komunikacionit të bërë për rastin, ku do të propozojnë nxjerrjen e një ekspertize të re të komunikacionit.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Arben Mustafaj e ka caktuar seancën e radhës për 21 dhjetor 2021, nga ora 13:00.

Ndryshe, prezent në seancë ishte edhe prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri.

Prokuroria Themelore e Pejës më 22 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Tahir Alijaj, me arsyetim se i njëjti më 23 korrik 2021, rreth orës 17:55, në fshatin Dubravë të Komunës së Istogut, nga pakujdesia ka shkelur rregullat e trafikut rrugor, duke shkaktuar aksident komunikacioni nga i cili mbetët i vdekur D.B.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që përderisa i pandehuri me të arritur në fshatin e lartcekur, edhe pse e ka vërejtur tani të ndjerin D.B, i cili po e kalonte rrugën nga krahu i djathtë në të majtë, i njëjtit nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës, duke tejkaluar shpejtësinë, nga 50 km/h sa ishte e lejuar, në shpejtësinë prej 70 km/h, dhe me pjesën e parë të automjetit e godet tani të ndjerin, duke e hedhur rreth 20 metra lara.

Sipas aktakuzës, si pasojë e lëndimeve të marra në kokë nga aksidenti në fjalë, humbet jetën viktima D.B.

Me këtë, i pandehuri po akuzohet se ka kryer veprën penale “rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9 e lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej (1) deri në tetë (8) vjet./Gazeta “Enigma”/

Related Articles