Slloveni Gliha “tregon” se kush do të jetë trajner i Kosovës

Slloveni Gliha “tregon” se kush do të jetë trajner i Kosovës

Në shkurt të këtij viti, slloveni Primozh Gliha u bë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në futboll. Ai u bashkua në shtabin teknik të përzgjedhësit Bernard Challandes, me të cilin Federata e Futbollit e Kosovës u nda javën e kaluar, pas rezultateve jo të mira në eliminatoret për botërorin “Katari 2022”.

Gliha është vlerësuar një prej kandidatëve më seriozë për ta pasuar Challandesin në postin e selektorit. Gjermani Felix Magath është një kandidat tjetër i përfolur.

Magath e Gliha mund të bashkojnë forcat në tentim për ta shtyrë para zhvillimin e përfaqësueses së Kosovës. Një mundësi të tillë e ka paralajmëruar vetë slloveni 54-vjeçar, që më herët ishte përzgjedhës i Sllovenisë U21.

Ai ka paralajmëruar se do të jetë ndihmës i Magathit në shtabin e ri teknik të Kosovës. Pra, sipas Glihas, FFK-ja do t’ia besojë drejtimin e përfaqësueses gjermanit 68-vjeçar, Magath.

“Jam te Kosova për afro një vit. Kam rol të veçantë në stafin profesional. Në futboll, njerëzit shikojnë nga kënde të ndryshme. Deri vonë, ata kanë pasur një staf profesional zviceran, por që ka shkuar. Jemi pajtuar që të udhëheq unë në dy ndeshjet e ardhshme. Më pas ata duan të sjellin Felix Magathin dhe të më përfshijnë mua në stafin e tij profesional”, ka thënë Gliha për sajtin slloven “24ur.com”.

Derisa Gliha ka pasur telashet e tij në Slloveni, që sollën largimin nga U21, Magath vlerësohet prej emrave të mëdhenjë të futbollit gjerman. Dy herë me Bayernin kishte fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Titull të Bundesligës kishte fituar edhe me Wolfsburgun në vitin 2009. Ka reputacionin e trajnerit që kërkon disiplinë të skajshme. Por 68-vjeçari nuk ka punuar për kohë të gjatë.

Hamburgu, Nurnbergu, Werderi, Eintracht Frankfurti, Stuttgarti, Bayerni, Wolfsburgu, Schalke, Fulhami dhe Shandong Luneng (Kinë) janë skuadrat që i ka udhëhequr Magath. Ai nuk punon si trajner që nga viti 2017. Magath në janar të vitit të kaluar kishte deklaruar se koha e tij si trajner ka përfunduar. Kishte theksuar se dëshiron që ta ndihmojë futbollin në mënyrë tjetër. Udhëheq një kompani që merret me futbollin e që ka bashkëpunim me skuadra gjermane.

Emra të tjerë janë përfolur për mundësinë që ta marrin drejtimin e Kosovës. Ikona zvicerane, Alex Frei, është një prej tyre. Aktualisht Frei punon në kategorinë e dytë helvetike.

“Nuk kam pasur ndonjë kontakt me Federatën e Futbollit të Kosovës. Por Kosova ka shumë potencial. Djemtë janë shumë të talentuar”, ka thënë Frei, duke pranuar indirekt që është i interesuar për pozitën e mbetur vakant.

Kosova më 11 nëntor luan miqësore, ndërsa më 14 nëntor e luan ndeshjen kualifikuese me Greqinë, të fundit në eliminatoret për Botërorin 2022. Në këto dy ndeshje, Kosovën do ta drejtojë slloveni Primozh Gliha.

Ndërkohë në mars, Kosova mund të paraqitet me trajner të ri në stol.

Related Articles