Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka deklaruar edhe një herë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian në mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga SHBA është thënë se dialogu është mekanizmi kryesor për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në mes dy shteteve.
“Pas javëve të fundit të tensionit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në de-përshkallëzimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm dhe të shmangin veprimet që kërcënojnë stabilitetin”, thuhet nga ambasada amerikane.
Po ashtu u tha se mirëpresin dhe mbështesin angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Ritheksojmë se dhuna kundër civilëve, gazetarëve, policisë ose autoriteteve të tjera është e papranueshme”, thuhet në njoftim. /Gazeta Enigma/.