Adnan Plakolli është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim me kusht pasi e ka pranuar se i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor, Granit Krasniqit të cilin e kishte goditur dhe ia kishte thyer gishtin në korrik të 2015-ës.
Aktgjykimi është shpallur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi, Adnan Kamberi, i cili ka thënë se dënimi nuk do të ekzekutohet ndaj të akuzuarit nëse i njëjti brenda periudhës verifikuese prej tre viteve nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari është deklaruar fajtor në seancë e shqyrtimit fillestarë të mbajtur më 20 tetor 2021.
Përpos me lëndim të rëndë trupor, Adnan Plakolli ngarkohej edhe me veprën penale “lëndim i lehtë trupor” të kryer në bashkëkryerje me vëllain e tij, Advan Plakolli. Mirëpo, sipas gjykatësit Kamberi, lëndimi i lehtë trupor ka arritur parashkrimit absolut, derisa gjykatësi ka thënë se lidhur me parashkrimin e veprës penale do të vendosë me një vendim të veçantë.
Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.
Gjykatësi Kamberi njoftoi se palët e pakënaqura ndaj këtij vendimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 21 dhjetor 2016, Adnan e Advan Plakolli po akuzohen se më 19 korrik 2015, në lokalin “Blue Market” në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje në mes të punëtores në market A.K. dhe klientit A.B., ku ky i fundit e thërret tani të akuzuarin Advan Plakolli dhe i thotë se punëtorët e kanë fyer.
Në aktin akuzues thuhet se, i akuzuari Advan Plakolli shkon menjëherë në market dhe i thotë të dëmtuarit Shaban Krasniqi “kam me ta thye kryet si te dalësh prej lokalit” dhe e thërret vëllain e tij Adanin, ku të dy së bashku ulen në një kafe përballë marketit dhe presin, ku pasi i dëmtuari Krasniqi e përfundon orarin e punës, të njëjtin e sulmojnë me dashje që t’i shkaktojnë lëndime trupore, ku Adnani e sulmon me grushte në kokë kurse Advani në fytyrë me bokse, ku në atë moment ndërhynë i dëmtuari Granit Krasniqi për t’i ndarë dhe nga ai moment, Advani e godet të dëmtuarin Shaban Krasniqi në këmbë, me të cilin rast atij i shkaktojnë lëndime të lehta trupore.
Me ketë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 1 pika 1.4 të KPRK-së.
Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Adnan Plakolli po akuzohet se më datë dhe vend të njëjtë si më lartë, pasi i dëmtuari Granit Krasniqi kishte ndërhyrë për t’i ndarë, e ka goditur këtë të fundit me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore, ku thuhet se ia ka kapur dorën e djathtë dhe ja ka thyer gishtin e dorës, pas të cilave i dëmtuari Granit Krasniqi ishte alivanosur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këtë, i akuzuari Adnan Plakolli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 189, paragrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal. /Gazeta Enigma/.