Komuna e Gjilanit përmes një komunikate për media, ka njoftuar qytetarët se nga e hëna do të bëhet zhvendosja e shërbimit të vaksinimit nga palestra e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”, në Qendrën e Mjekësisë Familjare Dardania.
Kjo kërkesë e kamotshme e Komunës së Gjilanit drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për lirimin e hapësirave për klubet sportive u konfirmua, të enjten pas takimit të zhvilluar të Komitetit të Gjilanit kundër përhapjes së COVID-19 me delegacionin e MSh-së, të udhëhequr nga sekretari permanent, Naim Bardiqi.
Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka falënderuar delegacionin e Ministrisë për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Komunës së Gjilanit, në të mirë të ruajtjes së shëndetit publik.
“Zhvendosja e shërbimeve të vaksinimit kundër COVID-19 nga palestra e sporteve te QMF Dardania është lajm shumë i mirë. Kjo ka qenë kërkesë e jona e kamotshme për lirimin e hapësirave për klubet sportive dhe jam shumë i lumtur për këtë. Komuna e Gjilanit do të vazhdojë ta bëjë maksimumin për ruajtjen e shëndetit publik dhe apeloj qytetarët që të vazhdojnë të vaksinohen në hapësirat e Qendrës së Mjekësisë Familjare Dardania”, ka thënë kryetari Haziri.
Gjendja e përgjithshme në Gjilan prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 27626 mostra, 9838 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, 9619 janë shëruar, 200 persona e kanë humbur betejën, 19 raste janë aktive, 82264 deri tani janë vaksinuar, të hospitalizuar janë 4 pacientë, ndërkaq 17 mostra janë në pritje për rezultat /Gazeta “Enigma“/.