Gjermania shënon nivelin më të lartë të infeksioneve që nga maji

Gjermania shënon nivelin më të lartë të infeksioneve që nga maji

Gjermania të shtunën e regjistroi nivelin më të lartë të infeksioneve me koronavirus që nga mesi i majit, duke e arritur pragun prej 100 rastesh për 100.000 banorë në shtatë ditët e fundit.

Pavarësisht se kjo masë më herët është përdorur si arsyetim për vendosjen e masave të rrepta të izolimit, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, theksoi se Gjermania tani mund t’ia dalë shumë më mirë falë vaksinimit, ndonëse shtoi se masat si përdorimi i maskave dhe kufizimet për aktivitete në mjedise të mbyllura për personat e pavaksinuar do të mbeten në fuqi deri në pranverë.

Shkalla mesatare javore e infeksioneve, që deri në gusht është përdorur për të vendosur masa kufizuese, të shtunën u rrit në 100 nga 95 sa ishte të premten, njoftoi Instituti “Robert Koch”.

Të shtunën në Gjermani u regjistruan 15.145 raste të reja me COVID-19, gati 4.200 më shumë se të shtunën e kaluar, thuhet në njoftim. Përpos rasteve, të shtunën u raportuan edhe 86 të vdekur duke e çuar në 95.077 shifrën zyrtare të viktimave, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Rritja e numrit të rasteve po ndodh në kohën kur udhëheqësit e 16 shteteve gjermane po diskutojnë për hapat e ardhshëm para se gjendjes emergjente kombëtare t’i skadojë afati më 25 nëntor, që do të thotë se masat do të shfuqizohen automatikisht në këtë datë, nëse nuk u zgjatet afati nga deputetët.

Ministri Spahn tha të shtunën se duhet të bëhet e mundur që të hiqet gjendja emergjente dhe njëkohësisht të mbahen në fuqi rregullat si përdorimi i maskës dhe shfaqja e dëshmisë së vaksinimit, shërimit ose testit me rezultat negativ për të hyrë në hapësira të mbyllura publike.

Gjermania ka përqindje pak më të lartë se mesatarja e BE-së, kur bëhet fjalë për vaksinimin e popullsisë. Deri më tani, rreth 66 për qind e gjermanëve janë vaksinuar plotësisht. Shifra mesatare e të vaksinuarve në BE është 63.3 për qind./Gazeta Enigma/

Related Articles