Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka kërkuar që të respektohet vendimi i Qeverisë së Kosovës që punëtoret shtatzëna të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke u krijuar mundësinë që ato të punojnë nga shtëpia.
Sipas tyre drejtoritë komunale të arsimit nuk janë duke respektuar këtë vendim.
SBASHK-u kërkon që Qeveria të angazhohet dhe të merr masa ndaj atyre të cilët nuk e respektojnë vendimet qeveritare. “Të ketë angazhim dhe inspektim sa i përket zbatimit të kësaj mase në institucionet arsimore dhe të obligohen institucionet që punëtoret shtatzëna të lirohen menjëherë nga procesi mësimor”thuhet në reagimin e SBASHK.
SBASHK-u deklaron se për këtë kërkesë ka komunikuar edhe me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Sindikata ka kërkuar bashkëpunimin e drejtorive komunale të arsimit nëpër komuna me Ministrinë me qëllim që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për dyja palët dhe punëtoret shtatzëna të zhvillojnë aktivitetet e tyre nga shtëpia.
Ndërkaq Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se vendimi i Qeverisë do të zbatohet. “Sot kemi kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit numrin e saktë të punësuarave shtatzëna në Institucionet Edukativo Arsimore, që janë deklaruar se do të shfrytëzojnë këtë mundësi. Kemi kontaktuar dhe me Fakultetin e Edukimit për bashkëpunim të shtuar dhe të gjithë bashkë duhet të angazhohemi që asnjë orë mësimi të mos humbet” ka shkruar ajo.