Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë sot se bashkëpunimi ndërinstitucional ka rol kyç në mbrojtjen e viktimave të krimit.
Haxhiu këto komente i bëri në tryezën e Institutit të Kosovës për Drejtësi lidhur me gjetjet e raportit hulumtues “Sfidat në zbatimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.
Për ministren Haxhiu, dhuna në familje, veçanërisht dhuna ndaj grave vazhdon të jetë shqetësues si fenomen në shoqërinë tonë, për këtë, shtoi ajo, Ministria e Drejtësisë një ndër prioritetet kryesore e ka adresimin e politikave ndaj dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.
Si veprim të rëndësishëm, ministrja Haxhiu e ka vlerësuar plotësimin e kuadrit ekzistues ligjor me synim të përforcimit të mekanizmave hetues e ndëshkues për kryerësit e veprave por edhe social e mbrojtës për viktimat.
Lidhur me këtë ministrja vuri theksin tek Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit për të cilin janë angazhuar që t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme duke adresuar disa çështje më rëndësi përfshirë; zgjatjen e afateve, llojet e dëmeve të kompensueshme, ristrukturimi i llojeve të dëmeve dhe shuma e kompensimit përfshirë lartësitë e kompensimeve, po ashtu është adresuar qasja e menjëhershme në kompensim si dhe përbërja e komisionit dhe si çështje të tilla pritet të procedohen në Kuvend të Kosovës me qëllim që të eliminohen problemet që janë identifikuar në praktikë.
Sipas njoftimit për media të MD-së, Haxhiu ka bërë me dije se bashkërisht me Koordinatoren Nacionale Kundër Dhunës në Familje, janë angazhuar intensivisht në adresimin dhe parandalimin e dhunës në familje, për çka, tha Haxhiu, bashkëpunimin ndërinstitucional është tejet i rëndësishëm në identifikimin e veprimeve serioze me qëllim të parandalimit por edhe qëndrimit pranë viktimave të krimit, dhe kjo do të arrihej përmes angazhimit të të gjitha institucioneve relevante.