Ndeshja e fundit e FC Liqeni në Ukrainë kundër FC Araz është mbyllur me rezultat të barabartë 6-6.
Në njoftimin e klubit të futsallit thuhet se ndeshja nisi me maturi, me të dyja skuadrat që po matnin forcat e tyre, por nga minuta e shtatë deri në të dymbëdhjetën ekipi nga Azerbajxhani shënuan katër herë.
Me një gol të menjëhershëm disi i riktheu në lojë Shqipron Brahimi kur nga afërsia shënoi për 4-1. Anton Uka në minutën e 19-të të pjesës së parë nxori një penallti, të cilën e konkretizoi vetë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 4-2.
Edhe pjesa e dytë nisi në të mirë të azerëve, kur në minutat 23 e 24 realizuan për të ngritur epërsinë e tyre në 6-2.
FC Liqeni sikur u zgjua nga një letargji, për të shënuar katër gola radhazi. Arbër Shkodra (26’), Shqipron Brahimi (34′), Steven Abril (36′) dhe Yulian në minutën e fundit të takimit rikthyen gjërat në binarë duke nxjerrë barazim të merituar me luftën, dëshirën dhe vullnetin e shfaqur brenda vijave të parketit.
Me një fitore, një humbje dhe një barazim, ekipi i futsallit e mbylli udhëtimin në Ukrainë, në kuadër të Grupit 6 të ‘Main Round’ të Ligës së Kampionëve, me gjithsej katër pikë të grumbulluara.