Grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë (MD) që parasheh të realizojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për procesin e Vettingut, nuk do ta ketë në përbërjen e tij asnjë përfaqësues nga gjyqësori.
Ky vendim u mor në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) në mbledhjen e saj të 269-të.
Më 13 tetor 2021, Qeveria e Kosovës kishte miratuar koncept-dokumentin për zhvillimin e procesit të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë, që parasheh pesë opsione, në mesin e të cilave edhe dy opsione për ndryshime kushtetuese.
Por që rekomandimi i koncept-dokumentit të Ministrisë së Drejtësisë që më pas është aprovuar edhe nga Qeveria është ai që fillimisht të bëhen ndryshime kushtetuese për procesin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga mekanizmat e jashtëm, ndërsa pas këtij procesi, verifikimi apo Vettingu të kthehet në KGJK dhe KPK.
Sipas një vendimi të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të 21 tetorit 2021, është përcaktuar që të emërohet një grup punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, në të cilin janë përfshirë edhe prokurorë e gjyqtarë.
Sa i përket procesit të Vettingut, sipas kryesuesit të KGJK-së Albert Zogaj, koncept-dokumentit të propozuar nga MD-ja, i mungon një analizë e mirëfilltë profesionale se a mund të ketë ndryshime kushtetuese kur kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor.
Zogaj tha se MD-ja nuk ka asnjë dakordim paraprak me sistemin gjyqësor dhe se KGJK është për të punuar në forcimin e kapaciteteve të brendshme dhe rritjen e kapaciteteve të gjyqësorit përmes ndryshimeve ligjore, që sipas tij është edhe në përputhje të plotë me Raportin e Progresit për vitin 2021, por në asnjë formë të ndërmerren veprime të cilat cenojnë pavarësinë kushtetuese të KGJK-së.
“Është proces shumë i paragjykuar, nuk ka analizë të mirëfilltë se a janë konsumuar të gjitha alternativat tjera. Qëndrimi i gjyqtarëve është i qartë, i prerë dhe i plotë që jo këtij procesi pa dakordim”, tha Zogaj, duke shtuar se legjitimiteti u thotë që këtij procesi t’i thonë jo.
Sipas tij, pa një dakordim të plotë me gjyqësorin, ky proces i nisur nuk do të përfundojë ashtu siç është nisur.
Po ashtu, kryesuesi i KGJK-së tha se edhe përbërja e grupit punues për këtë proces tregon një seriozitet të nivelit të ulët dhe është fyerje për sistemin gjyqësor.
Kjo ngase, sipas tij nuk mundet që me persona të zyrës ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, të bëhen ndryshime të tilla.
“Edhe përbërja e grupit punues, tregon për joseriozitet të shkallës së lartë ta themi kështu, sepse s’mund të marrin pjesë përfaqësues të zyrës ligjore në procesin e Vettingut për gjyqësorin, kjo është më së pari fyerje në raport me sistemin e drejtësisë, i cili ka edhe një pavarësi, kush administron me gjyqësorin në terma kushtetues, s’është Ministria e Drejtësisë, administrues i gjyqësorit”, u shpreh Zogaj.
Kundër dërgimit të një përfaqësuesi të KGJK-së në grupin punues të MD-së për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, krahas tij u shprehën edhe anëtarët tjerë të KGJK-së Qerim Ademaj dhe Avni Mehmeti, me arsyetimin se të gjitha rekomandimet e dërguara më parë nga KGJK, nuk janë marrë parasysh.
“Kemi pa një vendim të Qeverisë që ka themelu një grup punues për procesin e Vettingut, që sipas tyre është të përgatis amendamentet për ndryshimet kushtetuese dhe të hartojë projektligjin për procesin e Vettingu”, tha gjyqtari Mehmeti.
Tutje, siç raporton BetimipërDrejtesi ai shtoi se nuk janë marrë parasysh asnjë nga rekomandimet që ia kanë dhënë si KGJK dhe se mendon që është e panevojshme dhe e padobishme nëse e dërgojnë përfaqësues në grup punues, pasi sipas tij kanë dërguar përfaqësues dhe kanë bërë rekomandime por e kanë parë që s’janë marrë parasysh.
“Nuk duhet me qenë aty sa për sy e faqe, nëse nuk dëgjohet zëri ynë”, shtoi Mehmeti.
Ndërsa, gjyqtari Qerim Ademaj tha se me ndryshime kushtetuese nuk do ta përkrahin.
“Duhet me mbetv prapa asaj çfarë i kemi dërguar me shkrim Qeverisë dhe në këtë situatë nuk është e nevojshme të caktojmë përfaqësues pasi Qeveria e di qëndrimin tonë”, u shpreh Ademaj.
Ndërsa, anëtari tjetër i KGJK-së, profesori Vilard Bytyqi fillimisht tha se mendon që të gjitha qëndrimet kundër një nisme të tillë, ashtu çfarë është filluar duhet të bëhen nëse KGJK dërgon një përfaqësues në këtë grup punues, por pavarësisht kësaj, në procesin e votimit, votoi kundër që KGJK të dërgojë një përfaqësues në këtë grup punues.
Ndryshe, sipas vendimit të ministres Haxhiu, të 21 tetorit 2021, ky grup punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, në të cilin janë përfshirë edhe prokurorë e gjyqtarë, do ta ketë në përgjegjësi të tij që të përgatis amendamentet kushtetuese sipas përfundimeve të koncept-dokumentit dhe të hartojë projektligjin e veçantë për Vettingun dhe të plotësojë e ndryshojë ligjet e tjera. /Gazeta Enigma.