Numri global i vdekjeve nga COVID-19 ka tejkaluar pesë milionë, me një ekspert që e përshkruan situatën si “një moment përcaktues në jetën tonë”.
Më pak se dy vjet nga kriza globale shëndetësore që ka shkaktuar kërdi me ekonomitë dhe sistemet shëndetësore në mbarë botën, numri i vdekjeve të regjistruara zyrtarisht nga COVID-19 kaloi pesë milionë të hënën, shkruan Euronews, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins, vdekjet totale ishin pesë milionë e 1,817 viktima të hënën në mëngjes, me 246 milionë e 811 mijë e 481 raste të regjistruara në mbarë botën.
“Ky është një moment përcaktues në jetën tonë,” tha Dr Albert Ko, një specialist i sëmundjeve infektive në Shkollën e Shëndetit Publik të Yale.
“Çfarë duhet të bëjmë për të mbrojtur veten që të mos arrijmë në 5 milionë të tjerë?”
Së bashku, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe Brazili – të gjitha vendet me të ardhura të mesme ose të larta – përbëjnë një të tetën e popullsisë së botës, por gati gjysmën e të gjitha vdekjeve të raportuara.
Vetëm SHBA ka regjistruar mbi 740 mijë jetë të humbura, më shumë se çdo komb tjetër.
Numri global i vdekjeve rivalizon numrin e njerëzve të vrarë në betejat midis kombeve që nga viti 1950, sipas vlerësimeve nga Instituti i Kërkimeve të Paqes në Oslo.
Globalisht, COVID-19 është tani shkaku i tretë kryesor i vdekjeve, pas sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. /Gazeta “Enigma”/