Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka mohuar akuzat në lidhje me grafitet fyese për ish-deputetën nga kjo parti, Adelina Grainca.
Bytyçi tha se PDK-ja nuk e sulmon dikë në shtëpi për motive politike.
“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike”, tha Bytyçi.
Ai theksoi se për këtë arsye ky sulm është i papranueshëm edhe për PDK-në.
“Ne ftojmë Policinë e Kosovës që të hetojnë këtë rast duke ju sugjeruar që intervistimet t’i fillojnë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që siç duket kjo parti vetëm pas disa ore i kanë ‘identifikuar’ autorët!”, tha zëdhënësi i PDK-së.
Ndryshe, mbrëmë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.
“BIJAT I SHESIM, VOTAT I QESIM”, kjo është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca nga Ferizaj.
Ndërsa, Lulzim Grainca, biznesmen dhe xhaxhai i Adelinës, ka deklaruar se sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë do të tregojë kush është autori i grafiteve.