Institucionet e Kosovës dhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e shohin marrëveshjen për strehimin e përkohshëm të afganëve si sukses të përbashkët të të dyja shteteve, thuhet në një komunikatë për media nga Presidenca e Kosovës pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me zëvendës ndihmës sekretaren e Byrosë për çështje evropiane dhe euroaziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit, Molly Montgomery.
Sipas njoftimit, Osmani dhe Montgomery kanë diskutuar për raportet mes dy shteteve dhe çështjen e qytetarëve afganë me qëndrim të përkohshëm në Kosovë.
“Gjatë takimit, Presidentja falënderoi zëvendës ndihmës sekretaren për kontributin e vazhdueshëm dhe shumë të çmuar të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhënë Kosovës dhe rajonit, si dhe shprehu dëshirën e madhe për të rritur nivelin e angazhimin në një sërë çështjesh nga siguria deri tek diplomacia. Presidentja Osmani përsëriti edhe një herë se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë pranë aleatit tonë më të madh dhe më të besueshëm dhe se vendimi për afganët ishte vetëm një dëshmi e përkushtimit tonë në këtë marrëdhënie. Ajo e informoi zëvendës ndihmës sekretaren se ky vendim nuk ishte vetëm politik, por ishte edhe moral dhe se njerëzit në mbarë Kosovën ishin krenarë që mundën të kontribuonin në këtë ndërmarrje humanitare”, thuhet në njoftimin për media.
Komunikata tutje vazhdon me Osmanin që ka vlerësuar se administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti Joe Biden e kupton me të vërtetë Kosovën. Ajo ka shprehur besimin se ky fakt do t’i afrojë të dyja vendet në bashkëpunim në të gjitha fushat, sidomos ato të rrugës së Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
“Në veçanti, Presidentja Osmani shprehu aspiratën e vendit tonë që të bashkëpunojë më ngushtë me NATO-n për të siguruar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përballë kërcënimeve në rritje nga ndikimet malinje në rajon, edhe si një hap drejt anëtarësimit në këtë Aleancë. Montgomery falënderoi Presidenten për angazhimin e saj personal për të mundësuar ardhjen e afganëve dhe shprehu mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet e Kosovës dhe popullin e saj që i kanë bërë të ndihen të mirëpritur. Sikurse Qeveria e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe institucionet e Republikës së Kosovës e shohin marrëveshjen për strehimin e përkohshëm të afganëve si një sukses të përbashkët”, thuhet në komunikatë.
Kosova ishte në mesin e disa shteteve që kanë pranuar kërkesën e SHBA-së për strehim të afganëve që u larguan nga Afganistani pas marrjes së pushtetit nga talebanët./Gazeta “Enigma”/