Kuvendi i Letonisë të enjten i lejoi bizneset që t’i largojnë nga puna punëtorët që refuzojnë të vaksinohen kundër COVID-19 ose të punojnë nga shtëpia, pasi shteti i vogël baltik po përballet me njërën prej valëve më të rënda të virusit në BE.
Rreth 61 për qind e letonëve të rritur janë të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. Kjo përqindje është më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, që është 75 për qind, shkruan Reuters.
Letonia ishte shteti i parë i BE-së që u kthye në izolim këtë vjeshtë pas rritjes së madhe të numrit të rasteve dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore nga shtetet tjera të Bashkimit Evropian. Autoritetet kanë ngritur qendra të improvizuara për COVID-19 në korridore e në garazhe të spitaleve.
Ligji i ri ua lejon bizneseve pezullimin pa pagesë të punëtorëve të pavaksinuar, nëse ata ose e refuzojnë vaksinën, ose, nëse është e mundshme, të punojnë nga largësia. Bizneset më pas mund t’i shkarkojnë punëtorët, nëse ata nuk vaksinohen gjatë periudhës 3-mujore të pezullimit.
“Ka arsye të mjaftueshme për të besuar se një person i tillë nuk është i përshtatshëm për pozitën”, thuhet në dokumentin që qeveria letone e dorëzoi në organin legjislativ.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi nga 15 nëntori, kur Letonia pritet të dalë nga izolimi. Përjashtim nga rregullat do të bëhet për personat që nuk vaksinohen për arsye mjekësore. Më herët, vaksinimi ka qenë i detyrueshëm vetëm për punëtorët e shëndetësisë, arsimit dhe kujdesit social.
/Gazeta Enigma/