Në një deklaratë publike, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shprehur qëndrimin e vet institucional për të mos marrë pjesë në Grupin punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e vetingut në sistem të drejtësisë.
Sipas KPK-së, qëndrimi vjen “si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka proceduar në Qeveri draftin final për procesin e vetingut pa u konsultuar fare me institucionet e pavarura të drejtësisë”.
KPK-ja madje thotë se ky koncept-dokument s’u është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial për të cilët ka thënë se janë të painformuar me përmbajtjen finale të dokumentit.
“Prandaj, kjo qasje e njëanshme dhe përjashtuese nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ne është jo-serioze dhe jo-profesionale. Në procese të tilla të rëndësishme është thelbësore të ketë gjithëpërfshirje aktive të të gjitha palëve, të ndërtohet besimi reciprok dhe të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime, e bazuar në objektivitet dhe bashkërendim. Këshilli Prokurorial i Kosovës si institucion kushtetues mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit që nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të brendshme institucionale, të punojë në avancimin e sistemit prokurorial, gjithmonë duke e ruajtur pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve”, thuhet në njoftim.
Kundërshtimet e tyre ndaj qëndrimit të MD-së u shtuan pas deklarimeve të zëvendësministrit Blerim Sallahu se në mesin e prokurorëve e gjyqtarëve ka edhe të përfshirë në vepra kriminale.
E vetingu është parë me shqetësim edhe në Raportin e Progresit në të cilin Bashkimi Evropian kritikoi Kosovën për idenë e vetingut të njëhershëm. Pas këtij publikimi, nga Qeveria e Presidenca u shprehën se e kanë marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve për këtë çështje, por ajo është demantuar nga vetë BE-ja. Ndërkaq të enjten në emisionin Desku të KTV-së, zëvendësministri Sallahu u shpreh se kundërshtimet e BE-së kanë ardhur pasi ata kanë qenë të informuar në kohën kur ka qenë vetëm drafti fillestar i koncept-dokumentit për vetingun. /Gazeta “Enigma”/