Pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar njëzëri zgjatjen e mandatit për EUFOR-in në Bosnjë, ky mision ka dalë me qëndrimin se do të vazhdojë të ofrojë siguri në këtë shtet edhe për 12 muaj të tjerë.
Përmes një komunikate për media, EUFOR-i njofton se do të vazhdojë të mbështesë autoritetet lokale në ruajtjen e një mjedisi të sigurt, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencitë e Zbatimit të Ligjit dhe Forcat e Armatosura të Bosnjës.
“Në rinovimin e mandatit të EUFOR-it, Komuniteti Ndërkombëtar ka dërguar gjithashtu një mesazh të qartë mbështetjeje dhe besimi, duke njohur arritjet e Operacionit “Althea” gjatë 17 viteve të fundit, veçanërisht kontributin e EUFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Bosnjë-Hercegovinë”, thuhet në komunikatë.
EUFOR shprehet i gatshëm të vazhdojë të kryejë dhe të përmbushë të gjitha detyrat e tij në mbështetje të një mjedisi të sigurt sipas mandatit dhe me përkushtim 100% ndaj Bosnjës, qytetarëve të saj dhe rrugës së vendit drejt integrimit në BE.
“Kjo përfshin gjithashtu mbështetjen për Masterplanin e Bosnjë-Hercegovinës për Municionet, armët dhe eksplozivët, çminimin dhe stërvitjen kolektive me Forcat e Armatosura të saj’, përfundon njoftimi. /Gazeta “Enigma”/