Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar gjyqtaren e Gjykatës në Pejë, Florije Zatriqi, deri në një vendim tjetër të këtij institucioni.
Gjyqtarja Florije Zatriqi dënoi me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim një person të akuzuar për dhunim të një 15-vjeçareje.
Ky rast nxiti reagime të mëdha në vend, pasi dënimi është vlerësuar si tepër i butë dhe nxitës për raste të tjera dhunimi. Kishte reaguar edhe prokurori i Shtetit dhe Gjykata Supreme, që kërkuan masa disiplinore ndaj gjyqtares.
Në fakt, edhe pse Kodi Penal i Kosovës parasheh që dënimi për dhunim në rastin kur viktima është e mitur të jetë nga 5 deri në 20 vjet burgim, gjyqtarja Florije Zatriqi kishte gjetur rrethana lehtësuese për të dyshuarin.
Ajo në vendimin e marrë tre muaj më parë e kishte arsyetuar dënimin e ulët duke u bazuar në keqardhjen dhe pranimin e fajësisë, si dhe në faktin se në kohën kur ka ndodhur rasti, i pandehuri ka qenë 21-vjeçar, derisa tani kanë kaluar 10 vjet dhe se ai ka edhe fëmijë. /Gazeta Enigma.