Në gjykimin ndaj të akuzuarve për shitblerje të narkotikëve dhe për vepra tjera penale, Xh.Sh, S. Sh, I. S, A.G e L.Z, është dëgjuar dëshmitari i fundit për këtë rast A.Z.
Në këtë seancë dëshmitari i fundit në këtë rast gjyqësor ka treguar se si ishte punësuar në kompaninë e të akuzuarve Xh dhe S.Sh. Mirëpo deklarata e tij nuk do të publikohet për shkak se trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj në seancën e 5 tetorit 2021, kishte marrë vendim që të mos publikohen deklaratat e dëshmitarëve.
Sipas saj, publikimi i deklaratave të dëshmitarëve do të dëmtojë procedurën e gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe L.Z, mirëpo, ndaj tij gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë dhe me 10 mars 2021, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 5,000 euro gjobë për veprën penale të mashtrimit.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 9 dhjetor 2021.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Xh.Sh, S. Sh, I. S, A.G e L.Z, për shkak se sipas aktakuzës, të akuzuarit Sh. dhe ai S. si shtetas turk, duke vepruar si grup kriminal, i shtrirë në territorin e shtetit të Iranit, Shqipërisë dhe Kosovës, kishin blerë dhe poseduar substanca narkotike të llojit heroinë.
Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2018, kishin blerë heroinë nga Iraku e cila kishte arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.
Siç thuhet në aktakuzë, me qëllim të shmangies nga ndjekja penale, të pandehurit kanë bërë ndërrimin e identiteteve ashtu që i ndjeri N.C ka siguruar identitetin L.M dhe L.SH, i akuzuari S. ka ndërruar identitetin duke u emëruar M.Gj, kurse i akuzuari Xh.Sh me identitetin S.SH.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari S.SH më 14 shkurt 2017, ka regjistruar një biznes në emrin e tij me seli në Ferizaj i cili gjatë vitit 2017-2018 ka eksportuar gjithsej 19 maune me pllaka të mermerit dhe gurë dekorues, ku në eksportin e fundit, ishin eksportuar gjashtë maunë pllaka të mermerit, ku në njërën nga këto maune në 10 paketime të pllakave nga secila prej tyre ka pasur nga dy bunkerë ku ka qenë e vendosur heroina në peshë bruto prej rreth 113 kg, e cila është konfiskuar në banesën e të ndjerit N.C në Prishtinë.
Sipas prokurorisë, tani i ndjeri N.C i cili ka qenë në krye të këtij grupi kriminal e ka bërë porosinë e heroinës e cila është vendosur në paketimet e pllakave të mermerit, pasi që i njëjti ishte njohës i mirë i gjuhës kurde, ku të njëjtat pllaka me substancën narkotike kanë ardhë në firmën e të akuzuarit Shala, të cilat pagesa deri në Shqipëri i ka kryer i ndjeri N.C, ndërsa nga Shqipëria në Kosovë pagesat i ka kryer Sadik Shala në emër të biznesit të tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari XH.SH më 12 korrik 2018, sipas marrëveshjes gojore me të ndjerin N.C dhe të akuzuarin S., e kishte marrë me qira oborrin e depos ku ishte i vendosur biznesi i të akuzuarit S., të cilin e kishin shfrytëzuar për t’i vendosur pllakat e mermerit dhe gurët dekorues të eksportuar në Kosovë, me qëllim të shitjes së heroinës. I akuzuari Sh. kishte marrë një banesë me qira në Fushë Kosovë, ku gjatë kontrollit të saj i janë gjetur një qese me substancë narkotike – heroinë, pesë valixhe të zbrazëta me mbetje të pluhurit të heroinës, si dhe shirita ngjitës dhe dorëza të gomës të cilat janë shfrytëzuar për përpunimin edhe paketimin e substancës narkotike.
Në aktin akuzues thuhet se më 13 tetor 2018, i ndjeri N.C së bashku me tre të akuzuarit kanë shkuar në Ferizaj në depon e të akuzuarit S., ku e kanë nxjerrë heroinën në peshë bruto prej rreth 113 kg nga gjashtë maunet e pllakave, të cilën të nesërmen e kanë vendosur në bagazh të veturës dhe e kanë sjellë në banesën e të ndjerit në Prishtinë, ku më 2 dhjetor 2018 është sekuestruar.
Me këto veprime, tre të akuzuarit kanë kryer veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga nenin 283 par.1 të KPRK-së lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 281, paragrafi 1 pika 1.9 të KPRK-së.
Sipas aktit akuzues, Xh.Sh dhe I., me të kuptuar se më 19 tetor 2018 në Shqipëri janë publikuar emrat e tyre si persona të dyshuar se fshihen pas rastit të laboratorit të drogës në Has të Shqipërisë, me qëllim që t’i shmangen arrestimit kanë paraqitur fakte të rreme në Qendrën e Regjistrimit në Prishtinë dhe në Obiliq, me ç’rast kanë paraqitur ekstraktin e lindjes me të dhënat e personit M.Gj dhe të dhënat e personit S.Sh, ku me ndihmën e tani të ndjerit N.C i cili i ka vënë në kontakt me të akuzuarin A.G, nga ai kanë siguruar këto ekstrakte të lindjes.
Gjithnjë sipas aktakuzës, këta të akuzuar së bashku me të akuzuarin G. janë takuar edhe me një person deri më tani të panjohur, i cili i ka shoqëruar në këto dy qendra të regjistrimit, ku duke i paraqitë faktet e rreme i kanë vu në lajthim zyrtaret në qendrat e regjistrimit dhe kanë arritur ti sigurojnë dokumentet me identitet të reja.
Me këto veprime secili nga tre të akuzuarit veç e veç kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari G. në periudhën kohore tetor – nëntor 2018, me dashje ju ka ndihmuar të akuzuarve Xh. dhe I. dhe të ndjerin N.C, në shmangien e zbulimit dhe mos arrestimin e tyre nga organet e ndjekjes së Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe me qëllim të përfitimit pasurorë u ka ndihmuar në nxjerrjen e dokumenteve zyrtare në mënyrë të kundërligjshme, duke i marrë të ndjerit N.C nga 5000 mijë euro për secilin dokument.
Prokuroria e ngarkon atë me veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 388 paragrafi 2 nën paragrafi 2.8 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
/Gazeta Enigma/