Mbrojtësit e të dënuarve për krime lufte në Nerodime të Epërme, Z.K dhe D.Sh, avokatët Dejan Vasiq, Zhivojin Jokanoviq dhe Mentor Neziri, përmes ankesës kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim ose aktgjykimi të ndryshohet dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) përmes ankesës ka kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarve të u shqiptohet një dënim më i lartë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, më 23 mars 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit, ku Z.K. ishte dënuar me 14 vite e 6 muaj burgim efektiv, kurse D.Sh, ishte dënuar me 7 vite burgim efektiv.
Kundër këtij aktgjykimi, brenda afatit ligjor kishin parashtruar ankesë palët gjyqësore.
Këto ankesa u shqyrtuan të hënën nga kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, i përbërë nga gjykatësit Burim Ademi, Aferdita Bytyqi dhe Tomislav Petroviq.
Në mungesë të përfaqësuesve të PSRK-së, gjykatësja Bytyqi ka thënë se kjo prokurori ka propozuar që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën si të bazuar, ta ndryshojë aktgjykimin dhe të akuzuarve t’iu shqiptojë dënime më të larta me burgim.
Në anën tjetër, ankesë ka ushtruar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gani Rexhaj, për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozim që Apeli të ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarve t’iu shqiptojë dënime më të ashpra.
Mbrojtësi i të akuzuarit Z.K, avokati Dejan Vasiq dhe mbrojtësit e të akuzuarit D.Sh, avokatët Zhivojin Jokanoviq dhe Mentor Neziri kanë parashtruar ankesë për të gjitha bazat ankimore, duke kërkuar që ankesat e tyre të aprovohen, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe që në mungesë të provave të bëhet rikualifikimi i veprës penale në harmoni me ankesat e ushtruara.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Z.K, më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N. që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.
Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O.N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.
Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.
Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake. /Gazeta Enigma.