Kandidati për kryetar të Gjilanit nga Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka thënë se do të shqyrtojnë mundësinë e koalicionit që të sigurojë qeverisje stabile.
“Jemi tek numri 10 në asamble komunale dhe na duhen së paku edhe tetë asamblistë për të siguruar një qeverisje stabile për 4 vjetët e ardhshme. Ne do të jemi të detyruar të shqyrtojmë mundësinë e koalicionit me subjektet e tjera politike dhe kjo do të ndodhë me rastin e përfundimit të zgjedhjeve dhe fitimin e kandidatit”, ka thënë ai.
Hyseni në Debatin për Gjilanin në KTV ka thënë se kundërkandidati nga radhët e LDK-së nuk ka qenë i qëndrueshëm në atë që ka thënë dhe se ka bërë koalicion me subjektet politike teksa sipas tij, i njëjti ka deklaruar diçka tjetër, përcjellë Gazeta “Enigma”.
“Një prej vlerave përgjatë kësaj fushate është se kemi qenë të qëndrueshëm në ato që kemi thënë. Kemi qenë gjithmonë konsistent. Në anën tjetër e kemi kundërkandidatin që më 24 tetor ka thënë se do të shkojë në koalicion me qytetarët, ndërsa më 1 nëntor ka bërë koalicion me të gjitha partitë në Gjilan. Kjo tregon se gjendja për të nuk është e mirë. Nuk e injorojmë asnjë subjekt politik dhe asnjë votues”.
Nëse i druhet një koalicioni të tillë, Hyseni ka thënë se “nuk ka nevojë t’i druhemi” me arsyetimin se qytetarët janë të lirë të votojnë. /Gazeta “Enigma”/