Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që të bashkëpunojnë për të shtyrë përpara bashkëpunimin në dekadën e ardhshme, lidhur me ndryshimet klimatike.
Lajmi i befasishëm për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, ka ardhur pas Samitit të Klimës COP26 në Glasgow.
Të dy vendet lëshuan një deklaratë të rrallë të përbashkët që premton veprim.
Deklarata thotë se të dyja palët do të “kujtojnë angazhimin e tyre të vendosur për të punuar së bashku”, për të arritur objektivin e temperaturës 1.5 gradë Celsius, të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit.
Dy shtetet bënë thirrje për shtimin e përpjekjeve për të mbyllur “hendekun e rëndësishëm” që mbetet për të arritur këtë objektiv.
Shkencëtarët thonë se kufizimi i rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius do të ndihmojë njerëzimin të shmangë ndikimet më të këqija klimatike. Kjo krahasohet me temperaturat para-industriale.
Në vitin 2015, liderët botërorë u zotuan se do të përpiqen të parandalojnë ngrohjen e botës me më shumë se 1,5 deri në 2 gradë Celsius përmes reduktimeve të emetimeve.
Negociatori kryesor i Kinës për klimën, Xie Zhenhua, u ka thënë gazetarëve se për ndryshimin e klimës “ka më shumë marrëveshje midis Kinës dhe SHBA-së sesa divergjencë”.
Ai u plotësua nga John Kerry, i dërguari i SHBA-së për klimën, i cili tha se SHBA-ja dhe Kina “nuk kanë mungesë të dallimeve, por për klimën, bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për ta kryer këtë punë”.
Dy shtetet ranë dakord për hapa të përbashkët për një sërë çështjesh, duke përfshirë emetimet e metanit, kalimin në energji të pastër dhe dekarbonizimin./Gazeta “Enigma”/