Në Bruksel javën e ardhshme do të mbahet takimi i radhës në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Ai ka treguar edhe se për çka do të diskutojnë palët.
“Mund të konfirmoj se takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve do të mbahet në Bruksel më 16 nëntor. Palët do të vazhdojnë të diskutojnë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, çështjet e pazgjidhura dhe rrugën për të vazhduar para”, ka thënë Stano për Klanin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë kishte deklaruar se në nivel të kryenegociatorëve do të ketë takim kah mesi i muajit nëntor, duke shtuar se nuk dihet data e saktë se kur do të jetë takimi i radhës mes tij dhe Vuçiq në ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
/Gazeta Enigma/