Djali i diktatorit të ndjerë libian, Moammar Gaddafi, njoftoi të dielën (14 nëntor) se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vendit muajin e ardhshëm, tha agjencia zgjedhore e Libisë.
Seif al-Islam Gaddafi dorëzoi dokumentet e tij të kandidaturës në qytetin jugor Sabah.
Në vitin 2011, djali i Gaddafi, u kap nga luftëtarët, pasi një kryengritje popullore e rrëzoi babanë e tij nga pushteti pas më shumë se 40 vjetësh. Më vonë, Moammar Gaddafi u vra derisa po zhvilloheshin luftime që u kthyen në një luftë civile.
Seif al-Islam Gaddafi u lirua në qershor të vitit 2017 pas më shumë se pesë vitesh paraburgim. Atëbotë ai i tha gazetës amerikane New York Times se po shqyrtonte mundësinë e kandidimit për president.
Gjatë dorëzimit të kandidaturës së tij, Seif al-Islam Gaddafi tha se “Zoti do të vendosë se cila është rruga e duhur për të ardhmen e vendit”.
Ai kishte veshur një mantel tradicional libian, çallmë dhe syze.
Libia do të mbajë zgjedhjet presidenciale më 24 dhjetor, pas disa vitesh përpjekjesh të udhëhequra nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të siguruar një të ardhme më demokratike dhe për t’i dhënë fund luftës.
Votimi i shumëpritur ende përballet me sfida përfshirë përçarjen e thellë që mbetet midis lindjes dhe perëndimit të vendit, të ndarë prej vitesh nga lufta, dhe prania e mijëra luftëtarëve dhe trupave të huaja.
Diktatori Gaddafi kishte tetë fëmijë, shumica e të cilëve luajtën role të rëndësishme në regjimin e tij.
Djali i tij Muatassim u vra në të njëjtën kohë kur Gaddafi u kap dhe u vra.
Dy djem të tjerë, Seif al-Arab Gaddafi dhe Khamis Gaddafi, u vranë më herët gjatë kryengritjes.
Një djalë tjetër, al-Saadi Gaddafi, u lirua në shtator pas më shumë se shtatë vitesh burgim në kryeqytetin e Tripolit pas ekstradimit të tij nga Nigeri fqinj.