Për shkak se ish-deputeti Ismajl Kurteshi nuk e ka arsyetuar mungesën në seancën e paraparë për të hënën, ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.
Kurteshi së bashku me ish-deputetin Haxhi Shala po akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Eroll Gashi bëri të ditur se i akuzuari Kurteshi ka qenë i ftuar përmes procesverbalit të kaluar për seancën e sotme, por i njëjti nuk e ka arsyetuar mungesën.
Avokati Rrahim Ajeti, i cili zëvendëson me autorizim mbrojtësen e Kurteshit, avokaten Teuta Zhinipotoku, ka thënë se i mbrojturi i tij nuk mund të paraqitet në këtë seancë, por se nuk i din saktë arsyet.
Në këto rrethana, gjykatësi Gashi tha se ndaj të akuzuarit Ismajl Kurteshi lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.
Seanca e radhës u caktua për 26 nëntor.
Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.
Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës. /Gazeta Enigma.