Zyrtarja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa, ka deklaruar se sivjet është shënuar një vit i suksesshëm në arritjen e objektivave, duke shënuar tejkalim të projeksioneve.
Bytyqi-Sefa ka thënë se ATK-ja ka bërë një punë profesionale, në bashkëpunim me Qeverinë, dhe nga periudha janar-tetor janë arritur 512.5 milionë euro.
“Nëse e krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi arritur 121.1 milionë më shumë apo 31.3 për qind. Ndërsa sa i përket krahasimit me projeksionin e paraparë me planin, edhe këtu i kemi tejkaluar projeksionet”, deklaroi ajo.
Zyrtarja e ATK-së tha se shkak i rritjeve të tilla, përpos punës së mirë, ka qenë edhe inkasimi i të hyrave.
“Kemi arritur t’i realizojmë të gjitha të hyrat. Ka pasur rezultat edhe rritja e efektivitetit tek inkasimi i borxheve. ATK-ja është përballur me borxhe të mëdha. Është bërë me prioritet edhe trajtimi i borxheve të reja, që të mos lihen në atë që quhet borxhet kritike”.
Ajo ka njoftuar se ATK-ja shpeshherë është krahasuar edhe me vendet e zhvilluara, e të cilat kanë nisur kohë më parë platformën elektronike për lehtësim të procesit së qytetarit.
“Nga pandemia kemi pasur edhe evazion fiskal, që nga matjet e bëra, është vërejtur se është evituar lëshimi i kuponit fiskal. Kemi rikthim e ringjallje tatimore, kemi një stad të të hyrave tatimore. Shpresojmë të kemi kësi performance edhe në vitin që po vjen”, theksoi ajo.
Duke folur për çështjen e kuponëve fiskal, Bytyqi-Sefa deklaroi se në vitin 2015 kishte nisur kampanja e rimbursimit nga mbledhja e kuponëve, dhe se masivisht, qytetarët i ishin bashkuar kësaj kampanje.
“Padyshim po flasim për kampanjën që e kemi pasur në vitin 2015, ka qenë një kampanjë e rimbursimit nga mbledhja e kuponit fiskal. E para ka qenë masive, të gjithë ata që kanë qenë pjesë e saj. Rimbursimi ka qenë gati 100 për qind. Kampanja të tilla kanë rritur në masë të madhe partneritetin tonë me qytetarin”, theksoi tutje ajo. /Gazeta “Enigma”/