Eksperti amerikan i sëmundjeve infektive Anthony Fauci, tha se koronavirusi mund të bëhet endemik në vitin 2022.
“Dozat përforcuese janë jetike për të arritur në këtë pikë”, tha Fauci në një intervistë gjatë konferencës Total Health, e cila zhvillohet nga 15 deri në 18 nëntor.
Për të arritur në atë pikë që koronavirusi të bëhet endemik, shumë njerëz do të duhet të vaksinohen dhe të marrin doza përforcuese.
Më herët, kryebashkiaku i Uashingtonit njoftoi se do të heqë detyrimin për përdorimin e maskës në ambientet e mbyllura duke filluar nga java e ardhshme.
Kompanitë private, megjithatë, do të mund të vazhdojnë të imponojnë përdorimin e maskës dhe maska do të mbetet e detyrueshme në transportin publik, në ambientet e brendshme të shkollave, çerdhet, bibliotekat, shtëpitë e të moshuarve si dhe në disa ndërtesa publike.
Kryeqyteti federal amerikan vendosi përdorimin e detyrueshëm të maskës për personat e vaksinuar dhe të pavaksinuar në fund të korrikut, përballë rritjes së infeksioneve Covid për shkak të variantit Delta.
Heqja e detyrimit për përdorimin e maskës, një masë e marrë përballë dimrit dhe para festave, që shpesh çon në rritjen e rasteve, megjithatë, bie ndesh me rekomandimet e Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). /Gazeta Enigma.