Përjashtohet nga lista për anëtar të Bordit të RTK-së regjisori Ismet Sijarina, shkak interesi financiar

Përjashtohet nga lista për anëtar të Bordit të RTK-së regjisori Ismet Sijarina, shkak interesi financiar

Sipas vendimit të Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bord të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të cilët iu dërguan Kuvendit për votim, kandidatit Ismet Sijarina i pamundësohet të qenit pjesë e këtij Bordi, për shkak të interesit financiar.

Kjo pasi që në bazë të nenit 27 të Ligjit për RTK-në, paragrafi 1.6 “ka interes financiar të drejtpërdrejtë ose përfaqëson këtë interes, punon ose ka punuar në ndonjë transmetues në punët e telekomunikimit ose të transmetimit dhe në RTK në dy vitet e fundit”.

Radio Televizioni i Kosovës në shkurt të vitit 2020 ka nënshkruar kontratë për blerjen e të drejtave të filmit artistik “Nëntori i Ftohtë”, regjisor i të cilit është Ismet Sijarina, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kontrata në fjalë ka hyrë në fuqi më 14 shkurt 2020 dhe ka përfunduar më 14 shkurt 2021 dhe vlera e kësaj kontrate ishte 24 mijë euro.

Kandidati i radhës, sipas pikëve i cili do të shkojë për votim në Kuvendin e Kosovës në vend të Sijarinës, është Gazmend Vitaku.

Ndryshe, Ismet Sijarina ishte intervistuar të hënën më 15 nëntor dhe ishte poentuar nga anëtarët e komisionit me 749 pikë.

Komisioni ad-hoc pas përfundimi të procesit të intervistimit të 91 kandidatëve për Bord të RTK-së, ka përzgjedhur 18 kandidatë, të cilët janë rekomanduar për votim në Kuvend.

Procesi i votimit filloi më 11 nëntor dhe anëtarë të këtij komisioni janë deputetët Armend Zemaj, Fitim Uka, Doarsa Kica-Xhelili, Ardian Gola, Mërgim Lushtaku, Saranda Bogujevci, Albana Bytyqi, Duda Balje dhe Armend Muja.

Ndryshe, Bordi i RTK-së u shkarkua më 8 korrik të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa në seancën plenare të mbajtur më 20 shtator është miratuar Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës./Gazeta Enigma/

Related Articles