Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres ka njoftuar për emërimin e Caroline Ziadeh nga Libani si përfaqësuese e re speciale dhe shefe e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Ziadeh pason Zahir Tanin nga Afganistani, ndaj të cilit sekretari i Përgjithshëm tha se i është mirënjohës për përpjekjet e tij për paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon, si dhe për udhëheqjen e tij efektive të Misionit.
Shefja e re e UNMIK-ut pasi ka shërbyer që nga viti 2017 si drejtoreshë e Departamentit të Organizatave Ndërkombëtare, Konferencave dhe Shërbimeve Kulturore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve të Libanit tashmë në detyrën e re vjen me një përvojë gati 30 vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe shërbimin diplomatik të Libanit.
“Ajo ka njohuri të gjera për Kombet e Bashkuara, pasi ka udhëhequr delegacionet kombëtare në Kombet e Bashkuara për çështje si migrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe puna e Ministrisë në lidhje me të drejtat e njeriut dhe agjendën e grave, paqes dhe sigurisë”, thonë Kombet e Bashkuara në njoftimin për emërimin e saj.
Ziadeh ka një diplomë bachelor dhe master në ekonomi dhe shkenca politike nga Universiteti i Libanit në Bejrut dhe diploma në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Universiteti Libre de Bruxelles dhe Akademia Diplomatike e Vjenës. Ajo flet rrjedhshëm arabisht, anglisht dhe frëngjisht./Gazeta “Enigma”/