Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për dy kandidatët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq e Sasa Millosheviq.
Në mbledhjen e KQZ-së, të mbajtur këtë të shtunë, është kërkuar që Todosijeviqi, që është zgjedhur asamblist në Zveçan e Millosheviqi që është zgjedhur në krye të Komunës së Novobërdës, të decertifikohen.
Sipas të dhënave të KQZ-së, ndaj Ivan Todosijeviqit ka një vendim të prerë të gjykatës, kurse Sasa Millosheviq mban edhe pozita të tjera udhëheqëse.
Çështja është ngritur nga Sami Kurteshi i Vetëvendosjes.
“Mendoj që KQZ e ka për obligim që ta decertifikojë, për arsye se ai ka një vendim të prerë të gjykatës”, ka thënë ai.
Kurteshi është përkrahur edhe nga anëtarët e tjerë të KQZ-së.
“Të dy rastet duhet të shqyrtohen nga KQZ-ja dhe duhet të merret një vendim… heshtja si përbërje nuk na takon, duhet të flasim për të gjitha faktet që ne disponojmë”, ka thënë Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ.
“Në njërën nga mbledhjet e radhës duke pasur përpara informacionet e nevojshme por duke e pasur edhe vlerësimin për regjistrim të partive politike, për këto dy çështje që ndoshta mund të kenë një përfundim të njëjtë por që megjithatë janë të ndryshme”, tha Florian Dushi, anëtar i LDK-së në KQZ.
“Duhet ta shtrojmë problematikën të cilën e kemi para vetes, nuk jam që te kemi standarde të dyfishta”, ka deklaruar Ibrahim Selmonaj, anëtar i AAK-së në KQZ.
Trajtimin e çështjeve të ngritura e ka paralajmëruar kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se për të njëjtat është njoftuar para mbledhjes së mbajtur.
Në anën tjetër, në këtë takim, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet përfundimtare të 20 komunave nga 21 gjithsej sa kanë mbajtur edhe raundin e dytë zgjedhor.
Rezultatet e zgjedhjeve në Dragashi, pritet të shpallen pasi të përmbyllen afatet ligjore të ankesave, pas vendimit të PZAP-së, për anulimin e votave të ardhura nga diaspora në këtë komunë. /Gazeta “Enigma”/