Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se po të kishte një referendum për bashkim kombëtar ai do të votonte për të.
Kurti në intervistë për “Radio Monocle” tha se nëse do të kishte referendume mes dy vendeve dhe njerëzit do të votonin për bashkim kombëtar, ai do të votonte për.
“Nëse do të kishte dy referendume njerëzit do të votonin për bashkim kombëtar. Mendoj se në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik, që do të kishte në sjellje paqësore, unë do të votoja për po, por e përsëris vetëm nëse bëhet në formë demokratike. Nuk do ta përjashtoja mundësinë, megjithatë mendoj se për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, mënyra më e shpejt dhe më e mirë përpara në të ardhmen është që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE”, ka thënë Kurti në një intervistë për Radion Monocle.
Ndaj kësaj deklarate reagoi të dielën kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, që tha se ajo deklaratë mund të shkaktojë trazira të mëdha në gjithë rajonin.
E Vuçiq të hënën ka thënë se po të thoshte vet diçka të ngjashme, do ta “varnin” në Washington apo Bruksel.
“Unë as që reagova. E lamë të shkojë për një ditë dhe më pas reagoi Ana. Nuk bëhet fjalë për një ambasador, por për të ashtuquajturin kryeministër që kërcënon të bashkojë Shqipërinë”, tha Vuçiq raporton B92.
“Ideja e një ‘Shqipërie të Madhe’ nuk shkakton frikë në BE, ndonjëherë mund të shkruhet në ndonjë raporton se deklaratat nuk ishin të zgjuara dhe mbetet me kaq. Viola von Cramon mendon se mund t’ua hedhë mendjen të gjithëve dhe ka folur për gjithçka që ka ndodhur në Serbi. Edhepse është përgjegjëse për Prishtinën, asaj nuk i shkoi në mendje ta kritikojë deklaratën e Albin Kurtit. Kur bëhet fjalë për hegjemoninë e ‘Shqipërisë së madhe’, kjo është e zakonshme për ta. Në raport do të shkruajë se nuk është deklaratë e mençur. Është vetëm fillimi, do të kemi edhe shumë probleme. Çfarëdo që Serbia bën, për vetëmbrojtje politike, kurrë nuk do të jenë të lumtur”, tha tutje Vuçiq. /Gazeta Enigma.