Në javën e ardhshme, më 30 nëntor, fillon edicioni i 10-të i kësaj gare, i cili mbahet në Katar, duke saktësuar se në hapje të kësaj ngjarje do të marrë pjesë kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, njofton Faqja zyrtare e FFK-së, përcjell Gazeta Enigma.
Vendi nikoqir i Kupës së Botës në futboll, Qatar do të jetë nikoqir i “Fifa Arab Cup 2021”, ku pjesëmarrës do të jetë edhe kreu i FFK-së Agim Ademi, thuhet në faqen zyrtare të FFK-së:
“Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka marrë ftesë nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Bin Ahmad Al Thani, për të përcjellë nga afër hapjen e turneut “FIFA Arab Cup 2021”, që për herë të parë zhvillohet nën patronatin e FIFA-s, prej 30 nëntor deri më 18 dhjetor”, thuhet në njoftim.
Sië bëhet e ditur po aty, kjo garë, në të cilën janë të përfshira ekipet kombëtare të botës arabe, i ka zhvilluar deri tani 9 edicione, por nga ky vit ajo është bërë markë e FIFA-s, e ku marrin pjesë 16 ekipe kombëtare arabe, që vijnë nga Konfederata e Futbollit Aziatik (AFC) dhe Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF).
Edicioni i 10-të i kësaj gare mbahet në Katar, vend ky i cili do të organizojë edhe Botërorin 2022. Pjesëmarrja e presidentit Ademi në këtë event vlerësohet se do të jetë mundësi e mirë për ura bashkëpunimi ndërmjet FFK-së dhe federatave nga vendet arabe, thuhet më tej në njoftimin e publikuar të FFK-së./Gazeta Enigma/