Të mbijetuarit e tragjedisë në Bullgari janë edhe një çift të rinjsh. Bëhet fjalë për Lulëzimin nga Presheva dhe e fejuara e tij, Medina nga Sopoti i Kumanovës.
Ata tregojnë se kanë qenë në ulësen e parafundit, ku për fat të mirë Lulëzimi ka qenë zgjuar dhe ka qenë i vetëdijshëm duke parë çdo gjë me sytë e tij.
Ai tregon se pasi ka plasur zjarri në autobus, ka arritur të thyej xhamin anësor të autobusit duke arritur në këtë mënyrë të dalë dhe të tërheq me vete edhe të fejuarën e tij që nuk ishte e në gjendje të ecte pasi kishte thyer këmbët.
E para prej çiftit ka folur gruaja e cila tha se ishte në gjumë në momentin kur ndodhi shpërthimi dhe ka parë një trup përmbi të.
“Nuk e di kam qenë në gjumë edhe vec kur i kam parë duke bërtitur njerëzit edhe nuk di si por kam pasur një njeri përmbi mua dhe më thirrke. Nuk e di si kam dalur jashtë por e kam parë përmbi xhamin hapur edhe kam kërcyer jashtë. Tymi i zi ka qenë dhe sikur të shpërthente një bombë. Ka qenë 2 i natës. Kam të thyer këmbën e majtë dhe gjurin. Këmba e djathtë është e lënduar kur kam kërcyer”, thotë ajo në Alsat.
Lulzimi nga Presheva thotë se ka qenë zgjuar gjatë gjithë kohës dhe e ka parë të gjithë ngjarjen. Ai thotë se shoferët janë ndërruar nga Stambolli dhe kanë pasur pauza.
“Rasti ka ndodhur ka ora 2 i natës. I vetmi person që kam qenë zgjuar. Nuk kam fjetur dhe krejt rastin e kam parë me sy. Unë isha në këtë pjesën e majtë të autoubusit edhe e kam parë kur shkojke në anën e djathtë autobusi drejt bankina por nuk munda të lëshoj zë. Goditi bankinën dhe u bë një zhurmë e madhe. Të fejuarën e kapa. Filloi panikë e madhe. Autobusi u ndal. U bë krejt tym aty unë për fat të mirë e kam marrë at çekiçin e kam thyer xhamin. Kanë zbritur disa persona pastaj edhe e fejuara ime. E kapa dhe e dërgova më larg 20 metra pasi u frikësova nga një shpërthim i mundshëm. Nuk ka pasur shumë trafik. Shoferët janë ndërruar nga Stambolli deri këtu. Nuk mund të them se nuk kanë bërë pauza”, tha ai.