Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar guvernatoren e përgjithshme të Kanadasë, Mary Simon, e cila është kreu i shtetit të Kanadasë.
Në takim me Simon, Osmani e ka falënderuar për ndihmën e shtetit kanadez për Kosovën, duke shfaqur gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet më tej.
Në njoftimin e Zyrës së Presidencës thuhet se Osmani në takim e ka potencuar rolin e grave në vendimmarrje, duke e parë këtë si një parakusht esencial për konsolidimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit. Në këtë kontekst, ka theksuar se Kanadaja mbetet një shembull i mirë, nga përvoja e të cilit mund të përfitojë edhe Kosova.
“Të dy bashkëbisedueset kanë diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e interesit të dyanshëm, ku kanë përmendur politikën e jashtme, mbrojtjen, shkëmbimin ekonomik, arsimin etj. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova tashmë ka bërë hapa të ndjeshëm në ofrimin e një mjedisi të përshtatshëm dhe të sigurt për investime të huaja, duke ftuar bizneset kanadeze për t`i eksploruar mundësitë që ofron Kosova, e cila dominohet nga shumica e popullatës së re”.
“Kurse sa i përket situatës aktuale në Kosovë, Presidentja Osmani ritheksoi se synimi i vendit mbetet anëtarësimi në BE, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, për të cilën gjë tha se pret mbështetjen kanadeze. Presidentja Osmani tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të marrë fund me njohje të ndërsjellë. Ajo rishtazi ka përmendur retorikën kërcënuese të Serbisë dhe rritjen e ndikimit rus në rajon, si një kërcënim për destabilizim në këtë pjesë të Evropës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës. /Gazeta “Enigma”/