Në Rusi, një kompani aksesoresh luksozë me bazë shet buste tetë inç të gjatë të shefit të Tesla-s, Elon Musk.
Sipas kompanisë, bustet janë realizuar nga pjesët e shkrira të një makine elektrike Tesla.
Mirëpo, krijimet kanë pak ngjashmëri me njeriun më të pasur në botë, dallon faqja “Yahoo News”.
E quajtur Caviar, marka zakonisht prodhon telefona inteligjentë luksozë.
Ajo, përmes një deklarate për shtyp, ka zbuluar se ka realizuar 27 buste të Musk-ut. Dhe secili prej tyre vlen 2 mijë e 700 dollarë.
“Këta artikuj të rinj mishërojnë shpirtin e Elon Musk dhe për rrjedhojë, do t’u sjellin pronarëve të tyre suksesin dhe kreativitetin e këtij individi të shquar”, ka veçuar themeluesi i kompanisë, Sergey Kitov.
Lidhur me materialin e përdorur, ai vjen nga metali i një makine Tesla Model 3 ngjyrë blu, e cila në Rusi ka një çmim fillestar prej rreth 58 mijë dollarë, ka treguar shefi i marketingut, Dmitrey Stoliarov.
Për Stoliarov, ngjashmëria e skulpturës me Musk-un ishte krijuar nga një artist 3D i punësuar nga Caviar.
Kur u pyet për mospërputhjet midis dizajnit të bustit dhe pamjes së Musk-ut, Stoliarov ka thënë se “artisti nuk ndoqi saktësinë fotografike. Ai krijoi një imazh të shpikësit në të cilin pasqyrohen të gjitha arritjet dhe shpikjet e tij”.
Kurse sa i përket numrit të busteve që janë shitur deri më tani, Stoliarov ka dalluar se shitjet sapo kishin nisur.
Ndër të tjera, kompania shet edhe modele të telefonave iPhone 13 Pro dhe iPhone 13 Max të bëra nga pjesët e Tesla-s, duke filluar nga 5 mijë e 600 dollarë për copë.
Në këndin e sipërm djathtas, modelet paraqesin një portret të Musk-ut, me një gdhendje të bërë nga bakri i një baterie Tesla.
Caviar ka njoftuar se vetëm 99 telefona të tillë do të jenë të disponueshëm në mbarë botën.
Të gjitha këto janë pjesë e koleksionit Visionaries, i cili përfshin gjithashtu bustet e themeluesit të Alibaba-s, Jack Ma dhe krijuesit të Apple-it, Steve Jobs.
“Duam që klientët tanë të frymëzohen nga shembulli i tyre çdo ditë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre”, ka theksuar Stoliarov.