Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” është bërë me kryeshef të ri.
Bordi i përkohshëm i kësaj ndërmarrje ka zgjedhur Fatos Krasniqin në krye të kësaj pozite.
Fatos Krasniqi është renditur i pari në listë për pozitën e kryeshefit të KRU “Prishtina” me 38,17 pikë.
Ndonëse, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të kësaj kompanie, Sokol Xhafa, i cili ka aplikuar për këtë pozitë, është vlerësuar me 34 pikë, i renditur i treti në bazë të kësaj liste.
Xhafa në shenj pakënaqësie ka bërë ankesë në afat tetë ditor dhe bordi është duke shqyrtuar ankesën e tij.
“Është zgjedhur një drejtor i ri. Bordi i drejtorëve ka vendosur që për kryeshef të vijë një person tjetër, është Fatos Krasniqi. Ndërsa, tash është periudha e ankimimit, për të cilën po presim dhe pastaj sigurisht që ndërmarrja do të vazhdojë të punojë, e këto ndërrimet janë çështje tjetër që vendos një nivel më i lartë se ne”.
“Unë kam qenë një ndër aplikantët, kamë shfrytëzuar të drejtën time për ankimim në rastin që nuk jam përzgjedhur, por që prapë është në dorën e bordit të drejtorëve dhe unë po i pres të gjitha vendimet ligjore dhe sigurisht që në rastin që do të vije Krasniqi do ta mirëpres dhe unë do të kthehem prapa në pozicionin ku kam qenë paraprakisht”, ka thënë ai.
Bordi i drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, në mars të vitit 2020 kishte shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, Ilir Abdullahun, ndërsa në prill të vitit 2020, po ai bord kishte emëruari ushtrues detyre të kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, Sokol Xhafa./ Gazeta Enigma.