Ralf Rangnick kishte menduar se Cristiano Ronaldo ishte tepër i vjetër për të luajtur për ekipin e tij kur portugezi ishte vetëm 30-vjeçar.
Dhe tani, Rangnick është buzë emërimit trajner i përkohshëm i Manchester Unitedit dhe do ta ketë në skuadrën e vet një Cristiano 36-vjeçar.
Manchester Unitedi e ka zgjedhur trajnerin gjerman për ta udhëhequr ekipin deri në fund të sezonit 2021/22, pasi e shkarkoi Ole Gunnar Solskjaerin javën e kaluar.
Ronaldo mund të jetë problem për Rangnick në zhveshtoren e Unitedit, në bazë të asaj që gjermani e kishte thënë për të.
Në vitin 2016, kur Rangnick ishte trajner i RB Leipzig, ai u pyet nëse do ta blinte Ronaldon apo Lionel Messin sikur t’i vinte mundësia.
“Patjetër që jo. Ne e kemi ligj kufizues për paga dhe ata janë shumë të vjetër”, kishte thënë 63-vjeçari.
Mbase përgjigja më interesante erdhi më vonë. Përveç se e cilësoi Ronaldon si të vjetër për t’u përshtatur në ekipin e tij, ai kishte thënë se portugezi nuk do t’i përshtatej asaj sistemit të lojës së tij.
“Ne e kemi filozofinë tonë dhe ata nuk do të përshtateshin”, kishte theksuar ai.
Rangnick njihet për lojë intensive me presing të lartë dhe Ronaldo nuk është mësuar të bëjë presion ndaj kundërshtarëve gjatë karrierës së tij në Real Madrid, Juventus apo tani në United.
Lojtarët e rinj si Jadon Sancho, Mason Greenwood dhe Marcus Rashford pritet të lulëzojnë nën urdhrat e gjermanit. /Gazeta Enigma/.