Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet.
Sipas saj, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka shkelur marrëveshjen me SHBA-të me kërkesën ndaj gjeneral Ramës që asetet e FSK-së t’i japë për shfrytëzim për operacione policore.
“Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershēm”.
Çitaku ka thënë se gjeneral Rrahman Rama do të duhej të përcillej me ceremoni po ashtu sikur edhe gjeneral Bashkim Jashari do të duhej me ceremoni ta marrë detyrën, njofton Klankosova.tv.
“Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin. Gjeneral Jasharajt i dëshiroj sukese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë. Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë”.
Ajo ka thënë se si ambasadore e Kosovës në SHBA ka pritur dhjetëra delegacione, por që asnjëherë nuk është ndjerë me krenare sesa kur ka qenë përkrah ushtarëve të FSK-së.
Çitaku ka deklaruar po ashtu se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më kredibil dhe më profesional në Kosovë.
“Përgjatë viteve, kam pasur nderin e veçantë që të bashkëpunoj me shumë oficerë të FSK-së. Gjatë shërbimit tim si Ambasadore në SHBA, kam pasur privilegjin që të shoqëroj dhjetëra delegacione zyrtare. Asnjëherë nuk jam ndjerë më krenare se kur kam qenë përkrahë ushtarëve të FSK-së”.
“Nuk do ta harrojë kurrë tetorin e vitit 2018, kur bashkë me ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kam bashkë-kryesuar mbledhjen e parë të Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Për nga pregaditja dhe profesionalizmi, oficerët e FSK-së ishin në të njejtin nivel me oficerët amerikan. Përgjatë fazave të ndryshme të transformimit, nga UÇK, në TMK e më pas FSK, është ruajtur bërthama e luftës çlirimtare, paralelisht me krijimin e vlerave të reja”.
“Nga Gjeneral Rama, kolonel Qeriqi, kolonel Dreshaj, deri tek Arilena Shala, Yll Dalladaku, Ilirijanë Bunjaku e Luan Haradinaj, ( po i përmend me emër këta me të cilët kam bashkëpunuar, pa i hyrë në hak askujt) FSK sot është ushtri moderne, me oficerë të pregaditur e shkolluar në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë. Falë punës së tyre para së gjithash, kemi arritur ta ndërrojmë mandatin e FSK-së në ushtri, dhe sot pjesëtarët e FSK-së janë në misione të përbashkëta me trupat amerikane” ka thënë ajo./Gazeta “Enigma”/