Policia e Kosovës mbrëmë rreth orës 21:05 në pikëkalimin kufitar në Vermicë, ka gjetur drogë e cila ishte fshehur te motori i një veture.
“Me datë 04.12.2021 rreth orës 21:05, në pikëkalimin kufitar në Vermicë, nga Shqipëria për në Kosovë ka hyrë një automjet me targa kosovare të cilin e drejtonte shtetasi kosovar me iniciale (Y. S.), viti i lindjes 1994, në Prishtinë. Pas dyshimeve të bazuara të Policisë automjeti është selektuar për kontroll në vijën dytë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit më të detajuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në pjesën e motorit të automjetit është zbuluar një sasi rreth një kilogram (1kg) substancë e dyshuar si marihuanë e cila ishte e mbështjellur në një qese najloni.
“Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Prizren dhe me vendim të Prokurorit kujdestar i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë. Rasti për hetime të mëtutjeshme adresohet tek Njësia rajonale e hetimeve të antidrogës në Prizren”, thuhet në njoftim. /Gazeta Enigma/