Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës fituan numrin më të madh të komunave në zgjedhjet lokale në vend.
Këto dy parti fituan edhe komunat më të mëdha në vend siç janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Mitrovica dhe Ferizaj.
Por, zyrtarë të këtyre partive po deklarojnë se nuk duan zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku tha se nuk është koha për zgjedhje, duke shtuar se Qeverisë duhet t’i ipet edhe pak kohë dhe se nuk ka urgjencë për një proces të ri elektoral.
“Kërkesa për zgjedhjet e jashtëzakonshme janë mendim i deputetëve dhe nuk janë qëndrime zyrtare të PDK-së, pasi qytetarë më shumë ka nevojë për përkrahje se sa për zgjedhje. E kemi vetëm nja pako emergjente, e cila nuk është implementuar në tërësi”, ka thënë ajo për mediet.
Në këtë linjë është edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila konsideron se nuk duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme
“Kemi kritika për punën e kësaj Qeverie dhe mospërmbushjen e premtimeve por nuk besoj se duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Besoj se zgjedhjet e njëpasnjëshme e kanë dëmtuar këtë vend”, ka deklaruar Bajrami.
Partitë opozitare në shumicën e rasteve angazhohen që të rrezojnë qeverinë dhe të shkaktojnë një proces elektoral si mundësi për të ardhur deri të pushteti./Gazeta Enigma/