Federata e Futbollit e Kosovës i është bashkuar nismës së Ministrisë së Drejtësisë, duke u bërë pjesë e fushatës globale ’16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore’.
Në derbin e javës së 17-të të Superligës, ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, futbollistët e të dyja skuadrave, trajnerët dhe gjyqtarët kanë pasur nga një shenjë me ngjyrë të portokalltë në faqe, për ta mbështetur këtë fushatë sensibilizuese.
Lajmi ka bërë bujë edhe në mediat në Bosnjë e Hercegovinë, falë ‘timonierit’ të Prishtinës, Abdulah Ibrakoviq.
Trajner i Prishtinës, Abdulah Ibrakoviq, ka pësuar humbjen e parë në krye të kryeqytetasve, pas katër ndeshjeve, duke u mundur nga Drita me rezultat 1:0 në xhiron e 17 të Superligës së Kosovës në futboll.
Prishtina humbi 1-0 në shtëpi, ndërsa golin e vetëm mysafirët e shënuan në minutën e 36-të me anë të Marko Simonovskit.
Në këtë ndeshje Ibrakoviqi kishte një stampë trëndafili në faqe, duke mbështetur kështu aksionin global ‘Stop dhunës ndaj grave’, që po zhvillohet ditët e fundit në mbarë botën, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
‘Gratë janë thesari ynë që duhet t’i mbrojmë. Shpresoj që në këtë mënyrë të tërheqim vëmendjen ndaj këtij problemi dhe që dhuna ndaj grave në mbarë botën të ndalet përfundimisht’, deklaroi Abdulah Ibrakoviq për ‘Radiosarajevo.ba’.