Trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nasim Haradianajt, avokatit Toby Cadman për të shtyrë procedurat gjyqësore deri të mërkurën. Kërkesa e Cadman është bërë pasi i njëjti ka thënë se është infektuar me coronavirus dhe ka pengesa në komunikim me të akuzuarin.
Në seancën e sotme gjyqësore në dhomat e Specializuara në Hagë, Cadman ka thënë se deri të mërkurën edhe Nasim Haradinaj do të mund të lirohej nga karantina ku po qëndron për shkak të virusit.
“Do të kërkoja të shtyhet procedura për dy ditë të tjera, deri të mërkurën, në mënyrë që të përmirësohet situata ime shëndetësore dhe shpresojmë që zotëri Haradinaj të ketë dalë nga karantina, zotëri Berisha do të ketë mundësi të jetë i pranishëm po ashtu, dhe duam që zotëri Haradinajt të jetë i pranishëm në gjykatë, shpresojmë që kjo mos të jetë kërkesë jo e arsyeshme dhe dua të ju kërkoj që këtë kërkesë ta merrni seriozisht, e kemi të pamundur të vijojmë në këto rrethana po kërkojmë një shtyrje shumë të kufizuar”, ka thënë avokati Cadman.
Këtë e ka kundërshtuar zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Prokuroria vëren se në çështjen Haradinaj kemi dy bashkëmbrojtës që janë të disponueshëm,, njëri që e ndjek online dhe një tjetër që është i pranishëm në gjykatë, bashkëmbrojtësi i cili është në gjykatë ka mundësi të ndjek seancat private, për këtë arsye nuk ka justifikim për shtyrjen e seancave të planifikuara”, ka thënë prokurorja Valeria Bolici.
Lidhur me këtë çështje, avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka sugjeruar që seancat të mbahen të gjitha të hapura.
“Nëse shqetësimi kryesor është paaftësia e zotëri Cadman dhe personave të tjerë të cilët po na ndjekin ‘online për të ndjekur seancat private neve kemi një përgjigje të thjeshtë, që e gjithë seanca të organizohet apo të realizohet në seancë publike, praj jo në seancë private. Ne parashtrojmë që prova e zotëri Gucatit duhet të dëgjohet në seancë publike dhe për këtë arsye ne mund të vazhdojmë që mbi këtë bazë të mund të vijojmë”, ka thënë avokati Rees.
Edhe pse Rees ka deklaruar që emrat të cilët do t’i përmendin gjatë seancave janë publik, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith ka theksuare rëndësinë e ruajtjes së informacioneve konfidenciale.
Ai ka bërë të ditur se seancat do të vazhdojnë ashtu siç ishin planifikuar duke hedhur poshtë kështu kërkesën e avokatit të Haraidnajt për shtyrje të procedurave.
“Zotëri Cadman Trupi gjykues nuk e pranon kërkesën tuaj për arsyet e më poshtme, së pari duket që ju mund të komunikoni me klientin tuaj përmes telefonatave ose përmes lidhjeve në ‘zoom, së dyti, ju mund të merrni pjesë në këto seanca në distancë, ky institucion përfshire trupin gjykues dhe zyrën e administrimit kanë detyrën të sigurojnë sigurinë dhe efikasitetin e proceseve gjyqësore, një aspekti kësaj detyre është që të sigurohen që informacioni konfidencial dhe jo publik të mbrohet gjatë gjithë kohës. Gjatë seancave ne shkojmë në seanca private për të mbrojtur një informacion të tillë, gjatë seancave private zyra e administrimit duhet të sigurohet që informacioni konfidencial të mos ekspozohet në asnjë mënyrë”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
Edhe njëherë, ai ka kërkuar nga avokatët që pyetjet që do të shtrohen gjatë gjykimit të lidhen vetëm me çështjen në fjalë.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.