Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të shkojë të martën në Bruksel. Ai do të pritet nga Komisioneri për Zgjerim, Olivér Várhelyi.
Kurti do të marrë pjesë në Këshillin e Stabilizim Asociimit BE-Kosovë. Ky takim pritet të zhvillohet nga ora 11:30, sipas agjendës së publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
Në këtë takim, që është i katërti i Këshillit të Stabilizim Asociimit do të shqyrtohet gjendja e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Pjesëmarrësit do të diskutojnë veçanërisht kriteret politike, kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Partnerët po ashtu do të kenë mundësi të shkëmbejnë mendime edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Në fund të takimit, rreth orës 14:00, është paraparë të mbahet një konferencë për shtyp.
Radio Evropia e Lirë, ndërkohë, ka raportuar se gjatë kësaj vizite Kurti do të takojë zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë shefin e diplomacisë, Josep Borrell.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë gatishmëri për t’u takuar në kuadër të dialogut.
“E kemi bërë shumë të qartë, pas dy takimeve këtë vit, që parakusht për takimin e radhës duhet të jetë gatishmëria e të dyja palëve që të dakordohen rreth rezultateve konkrete për të mirën e qytetarëve të tyre. Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, tha Stano./Gazeta “Enigma”/