Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media nga Brukseli sëbashku me Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell dhe Komisioneri për Zgjerim Varhelyi ka folur për takimin e katërt të Këshillit të MSA-së dhe liberalizimin e vizave, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurti sërish në konferencë ripërsëriti se është shumë e rëndësishme që BE-ja t’ia liberalizojë vizat Kosovës.
“Ne besojmë se i gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Kosova në veçanti duhet të ecin sa më shpejt që është e mundur në rrugën drejt BE-së, BE-ja është e ardhmja jonë dhe evropa është kontinenti ynë. Ne besojmë se kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta dhe të ndërlidhura më progresin e vërtetë dhe të na motivojnë se rruga e Kosovës drejt BE-së dhe që të jetë progres më i qëndrueshëm. Për të përforcuar besimin tek BE-ja ne besojmë që është shumë më rëndësi që të ketë liberalizim të vizave për Kosovë, tani kanë kaluar 3 vjet e katër muaj që Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave por qytetarët e Kosovës ende duhet të vuajnë këtë regjim vizash”, tha Kurti.
Ai tha se Kosova e mirëpret takimin e katërt të Këshillit për MSA-në mes BE-së dhe Kosovës.
“Republika e Kosovës mirëpret takimin e katërt të Këshillit të MSA-së mes BE-së dhe Kosovës. Ky takim është një arritje tejet e rëndësishme në zbatimin e MSA-së sidomos në kuptimin e fillimit të fazës së dytë implementimi të prioriteteve politike në agjendën evropiane të reformave. Para dy muajve kemi miratuar planin për ERA 2 me prioritetet që dalin nga MSA-ja për të cilin jemi përkushtuar që ta zbatojmë me prioritet të lartë”, u shpreh ai. / Gazeta Enigma.