Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar deri më 137 pako të supozuara me fletëvotime, në procesin e përsëritjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit.
Lajmin e ka bërë të ditur, Kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj.
Ai tha se nuk përjashtohet mundësia që brenda zarfit të jenë një apo dy fletëvotime, por kjo sipas tij, do të vërtetohet kur të përfundon votimi.
“Deri në raportimin e djeshëm kanë arritur 137 pako me fletëvotime të supozuara, që i bie 137 zarfe mirëpo kjo nuk e përjashton mundësinë që brenda zarfit munden me qenë edhe 1 apo 2 fletëvotime më shumë, mirëpo nuk e dijmë saktë deri në ditën kur bëhet vlerësimi”, tha Ahmetaj, për Frontonline.com, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që periudha për përsëritjen e votimit përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit të fillojë më 29 nëntor dhe të përfundojë më 13 dhjetor.
Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.
Numri i votuesve jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit është 1,090.
Ky rivotim erdhi pasi që Gjykata Supreme ka vendosur që votat e ardhura me postë nga jashtë për Komunën e Dragashit të mos njihen/Gazeta “Enigma”/