A do marrin pjesë në takimin e Kurtit? – Flasin nga partitë opozitare

A do marrin pjesë në takimin e Kurtit? – Flasin nga partitë opozitare

Ftesa e kryeministrit për t’u takuar për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sesionin pranveror është refuzuar nga krerët opozitarë. I vetmi që pranoi ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se do të flasë për zgjedhje, ndërkaq LDK dhe AAK i thanë jo këtij takimi.

Pas përgjigjes negative që mori, kryeministri Kurti tha se ka menduar që është më së miri të takohen të gjithë së bashku. Dy temat që aktualisht ka Kurti para vetes janë anëtarësimi në KiE dhe votimi i Projektkodit Civil, për çka i duhen edhe votat e opozitës pasi disa deputetë të tij e kundërshtojnë atë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar kryetarët e partive opozitare në një takim për të hënën. Në letrën që Kurti ua ka drejtuar shefave të grupeve parlamentare të partive, thuhet se në këtë takim do të diskutohet për përmbushjen e agjendës së mbetur legjislative dhe ka shtuar se pret përgjigje pozitive.

Ftesës së tij, gjatë ditës së djeshme, i kanë kthyer përgjigje të tre krerët opozitarë.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka thënë për Gazetën Express se Krasniqi në këtë takim do të diskutojë mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja, për të cilat tha se PDK i sheh si zgjidhje për të dalë nga “kriza në çdo fushë”.

“Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, ka thënë Abdullahu.

Ndërkaq, kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar si të vonuar përpjekjen e Kurtit për të gjetur një klimë bashkëpunimi.

Për çështjen e ngritur në letër lidhur me përmbushjen e agjendës legjislative, Abdixhiku ka thënë se është çështje që diskutohet në Kryesi të Kuvendit ku partitë politike dhe përfaqësusit politik i japin qëndrimet.

Ndërsa për marrëveshjet ndërkombëtare, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja i konsideron mbi politikat ditore dhe do të vazhdojë t’i votojë siç i ka votuar.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, lidhur me ftesën e partive opozitare në një takim, shkruan Gazeta Express.

Ai tha se tema për të cilën i ka ftuar Kurti, bie në përgjegjësin e shefave të Grupeve Parlamentare, teksa shtoi se nëse ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë çështjen mund ta trajtojnë në kohë tjetër.

“Sa i përket temës së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare. Z.Besnik Tahiri i cili e udhëheqë grupin tonë  parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejtë në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre. Ndërsa, në qoftë se ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një momentum tjetër në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë me interes nacional”, thuhet në letrën e Haradinajt.

Pas përgjigjeve që mori, Kurti tha se ka menduar që është më së miri që të takohen të gjithë së bashku.

“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët e muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti për televizionin lokal të Prizrenit Tv Besa.

Related Articles