A do të largohen të gjitha masat antiCOVID? – Flet ministri i Shëndetësisë

A do të largohen të gjitha masat antiCOVID? – Flet ministri i Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka folur për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë dhe masat anti-COVID

Latifi ka deklaruar se për disa vite shëndetësinë në Kosovë do ta vendosin në binarët që duhet, teksa siç thotë ai qendra e vëmendjes do të jetë pacienti.

“Këtu ka shumë punë, por në dy-tre muajt e ardhshëm, e në dy-tri vjetët e ardhshme shëndetësinë do ta qesim në atë binarin që na duhet”, theksoi Latifi.

Sipas Latifit, në sistemin që ai e drejton tash e dy muaj, duhet të bëhet transformim e jo reformim.

“Ky transformimi duhet me qenë ku në qendër të vëmendjes do ta ketë pacientin. Duhet me u bazu në evidencë, në të dhënat që i kemi, duhet me u orientu në kërkime shkencore dhe me u fuqizu e udhëheqë nga teknologjia. Nëse nuk e bëjmë këtë nuk do të kemi transformim të shëndetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Latifi për Telegrafin.

Po ashtu, ai ka bërë thirrje që të gjithë të jenë të përgjegjshëm dhe shëndetësia të jetë prioritet kombëtar e shtetëror.

“Ne si kolektiv na duhet me qit shëndetësinë si prioritet kombëtar, me prioritet shtetëror. Nëse nuk e bëjmë këtë, ne po humbim kohën. Po sillemi në rreth dhe po menaxhojmë operacione të mëdha me diçka veç sa me ndal gjakun. Na duhet transformim, jo reformim, por transformim”, shpreh Latifi.

Megjithatë, sipas tij, puna e madhe që duhet bërë për transformimin e shëndetësisë merr kohë.

Latifi tha se duhet kthyer përgjegjësia tek profesionistët shëndetësor, e po ashtu edhe autoriteti i tyre.

“Çështja më e rëndësishme që ka me qenë në zhvillimin e shëndetësisë në vitet e ardhshme e që kjo nuk mund të bëhet brenda muajve është me i kthy dy elemente të rëndësishme të punëtorëve shëndetësor. Me kthy përgjegjësinë tonë, ai mjek, punëtorë shëndetësor e administrator, por të njëjtën kohë me kthy edhe autoritetin e mjekut, atë të infermieres, sepse ne të tjerët kemi shumë dëshira, e kur je i sëmurë e ke vetëm dëshirën me u shëru. Por, këto nuk bëhen me fjalë, e ndoshta as me ligj, por këtë bëhen me dedikim individual dhe kolektiv të secilit prej nesh”, tha Latifi.

“Me përmirësimin e situatës epidemiologjike, do t’i heqim të gjitha masat kufizuese”

Latifi ka thënë se masat kufizuese anti-COVID që kishin miratuar para disa javësh janë keqkuptuar, derisa tha se nëse vazhdon situata epidemiologjike të përmirësohet atëherë do të hiqen të gjitha masat.

Ai ka komentuar masat kufizuese që kishin vendosur më herët, ku qytetarët të cilët kanë tentuar të hyjnë në territorin e Kosovës është dashtë të posedojnë tri vaksina, apo dy vaksina testin negativ për koronavirus.

“Janë ndalë për shkak se nuk kanë pasur tri vaksina, ose dy vaksina plus testin. Ai që ka pasur tri vaksina ka hyrë lirshëm, pa asnjë telashe. Shtetet tjera, duke futur këtu edhe Maqedoninë e Veriut, e kanë shëndetësinë në nivel më të mirë se ne, spitalet më në nivel se ne, përndryshe ne nuk kishim shku shumica e kosovarëve në Maqedoninë e Veriut”, është deklaruar ai.

Latifi ka thënë se asnjë pacienti të sëmurë nuk i është ndaluar hyrja në Kosovë.

“Asnjë të sëmuri nuk i është ndaluar hyrja në Kosovë. Gjendjen qysh e kemi unë besoj që ka me u përmirësuar, e nëse përmirësohet dukshëm ne do t’i heqim të gjitha masat”, theksoi ai. /Gazeta Enigma/.

Related Articles